Google search engine
Home Kulture Amforat e shekujve I-IV pas Kr., pjesë e trashëgimisë nënujore shqiptare

Amforat e shekujve I-IV pas Kr., pjesë e trashëgimisë nënujore shqiptare

0
35

Trashëgimia nënujore e Shqipërisë është një pasuri, që ruan dëshmi të çmuara të historisë sonë mesdhetare. Më 21 gusht, në Ditën Ndërkombëtare të Trashëgimisë Kulturore Nënujore, Muzeu Historik Kombëtar sjell në vëmendje thesaret e fshehura në fundin e deteve, liqeneve dhe lumenjve shqiptarë, nga portet e lashta te anijet e fundosura që tregojnë lidhjet e hershme tregtare e shoqërore.

Një dëshmi e gjallë e kësaj pasurie janë amforat e shekujve I-IV pas Kr., pjesë e Fondit të Muzeut Historik Kombëtar. Sipas MHK-së ato janë zbuluar në fundin e detit Jon dhe i përkasin mbetjeve të anijeve ilire. “Ato kanë formë tradicionale të thjeshtë, pa zbukurime dhe me fund të mprehtë konik”, thuhet nga Muzeu Historik Kombëtar, që ka ndarë edhe foto të amforave në faqen e tij.

Dita Ndërkombëtare e Trashëgimisë Kulturore Nënujore, e cila festohet çdo vit më 21 gusht, synon mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të zhytur në oqeane, dete, lumenj dhe liqene. Më 21 gusht 2022 u shënua nisja e misionit të parë shumëpalësh të arkeologjisë nënujore, nën kujdesin e UNESCO-s. Kjo ditë ndërkombëtare vlerëson kontributin thelbësor të trashëgimisë kulturore nënujore në shkencë, arsim dhe identitetin kulturor të popujve, dhe të gjithë atyre që i kushtojnë kohën e tyre mbrojtjes së saj.

Trashëgimia kulturore nënujore përfshin gjurmët e veprimtarisë njerëzore që ndodhen nën ujë dhe kanë rëndësi historike, arkeologjike ose kulturore. Këtu përfshihen anije të mbytura, porte dhe vendbanime të lashta, struktura arkeologjike, objekte historike dhe peizazhe të zhytura.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here