Google search engine
Home Kulture Tradita shqiptare në skenë, Ansambli Kombëtar sjell ritmet e folklorit

Tradita shqiptare në skenë, Ansambli Kombëtar sjell ritmet e folklorit

0
26

Nga Julia Vrapi

Folklori shqiptar zbret në skenë përmes këngëve, valleve dhe traditave që përcillen brez pas brezi. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të jetë në Tomorr të Beratit, për një mbrëmje festive kushtuar muzikës dhe kulturës sonë popullore. Pas mbrëmjes festive të kësaj të shtune, Ansambli më 24 gusht në Fier do të zhvillojë koncertin e fundit të këtij udhëtimi veror. Turneu artistik “Fest Folk 2026” përfshiu gjatë gushtit një seri koncertesh verore, të organizuara në disa qytete të vendit, duke vijuar traditën e veprimtarisë artistike të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore. Ndërsa Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor shprehet se mbrëmja e 24 gushtit do të jetë një përmbyllje e veçantë e turit veror, me muzikë, valle dhe traditë shqiptare.

“Një verë e mbushur me këngë, valle, emocione dhe takime me publikun shqiptar po shkon drejt fundit. Më 24 gusht, në Fier, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore do të zhvillojë mbrëmjen e fundit të këtij udhëtimi veror! Një natë për ta mbyllur këtë rrugëtim së bashku, me muzikën, traditën dhe energjinë që na ka shoqëruar gjatë gjithë verës”, thuhet nga TKOBAP. Nga Saranda, në Laç, Durrës, Gjirokastër, Vlorë, Vajzë, artistët e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore gjatë muajit gusht u ngjitën në skena, duke sjellë para publikut pasurinë e këngëve, valleve dhe traditave tona, ku këtë mbrëmje do të jenë në Berat për ta përfunduar në vijim “Fest Folk 2026” në Fier.

Aktivitetet në sezonin artistik

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, nën drejtimin artistik të Sokol Marsit, gjatë këtij sezoni artistik ka zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe koncertesh, duke përcjellë vlerat e folklorit shqiptar. “Ku ka si Tirana”, “Mrekullitë e Arbërisë”, “Me Zërin e Bjeshkëve”, “Kur dy zemra dashurohen”, “Brez pas Brezi” etj, kanë sjellë në skenë një mozaik të këngës, valles dhe traditës shqiptare. AKKVP e nisi vitin artistik 2026 me koncertin “Ku ka si Tirona” që u shfaq për dy mbrëmje në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, duke shënuar njëkohësisht edhe nisjen e ciklit artistik “Thesaret e shpirtit”.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore vijon të ketë në qendër të veprimtarisë së tij ruajtjen dhe përcjelljen e trashëgimisë folklorike shqiptare. I përbërë nga solistë këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori, ansambli ruan dhe përcjell pasuritë vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike. Ndërsa, me nisjen e sezonit të ri artistik 2026-2027 në shtator, Ansambli Kombëtar do të vijojë aktivitetin e tij me koncerte të ndryshme, duke sjellë në skenë këngët, vallet dhe traditat shqiptare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here