Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg, së bashku me bashkëshorten e tij Priscilla Chan, kanë blerë një prej rezidencave më mbresëlënëse historike në Irlandë.
Bëhet fjalë për Kështjellën Strancally, një ndërtesë gotike e shekullit të 19-të, e vendosur në një pronë prej rreth 110 akrash në County Waterford, me pamje nga lumi Blackwater.
Blerja është konfirmuar nga një zëdhënës i Zuckerberg, i cili tha se familja e tij mezi pret të kujdeset për këtë shtëpi historike dhe të kalojë kohë në Irlandë, ku Meta ka selinë ndërkombëtare.
Marrëveshja nuk është bërë publike në të dhënat zyrtare, por vlera e pronës raportohet të jetë mes 23 dhe 35 milionë dollarëve. Kështjella ka një sipërfaqe prej rreth 16 mijë metrash katrorë dhe është ndërtuar rreth vitit 1830 për John Keeley, një ish-politikan konservator britanik.
Projekti i saj iu besua arkitektëve James dhe George Richard Payne, të njohur për veprat e tyre në Irlandën e shekullit të 19-të. Rezidenca është përshkruar si një ndërtesë jashtëzakonisht luksoze për kohën, aq sa në disa përshkrime historike përmendet se distanca nga kuzhina deri te dhoma e ngrënies kërkonte një ecje të shpejtë prej rreth katër minutash e gjysmë.
Zuckerberg dhe familja e tij pritet ta përdorin kështjellën gjatë qëndrimeve në Irlandë, ndërsa vendndodhja ka edhe një rëndësi të veçantë për biznesin e tij. Meta ka selinë ndërkombëtare në Dublin, ku punëson rreth 1,500 persona dhe ka investuar ndjeshëm në infrastrukturën teknologjike.
Kështjella Strancally ndodhet rreth 190 kilometra nga qendra e aktiviteteve të Meta-s në Dublin, në një vend që prej vitesh është kthyer në një nga qendrat kryesore evropiane të kompanive amerikane të teknologjisë.
Përveç historisë së saj arkitekturore, prona lidhet edhe me disa legjenda të errëta. Shkrimtari anglez William Howitt kishte përmendur histori që e lidhnin zonën me të ashtuquajturat Kështjella Desmond dhe rrëfenja për vizitorë që joshehin në kala dhe më pas vriteshin.
Megjithatë, këto histori konsiderohen pjesë e traditës lokale dhe nuk janë të gjitha të dokumentuara historikisht.
Blerja e Strancally Castle i shtohet portofolit të pasurive të paluajtshme të Zuckerberg, i cili gjatë viteve të fundit ka investuar shuma të mëdha në prona luksoze.
Këtë herë, miliarderi i teknologjisë ka zgjedhur një rezidencë me histori shekullore dhe arkitekturë gotike, në një nga zonat më piktoreske të Irlandës.











































