Google search engine
Home Sport UEFA kundër FIFA-s: S’mund të bëjë veprime për të pasuruar veten dhe...

UEFA kundër FIFA-s: S’mund të bëjë veprime për të pasuruar veten dhe miqtë

0
15

Konfederata Evropiane e Futbollit ka lëshuar tjetër komunikatë lidhur me planet e FIFA-s për të shitur aksione të ngjarjeve të saj, duke përfshirë të Kupës së Botës. UEFA ka shkruar se “FIFA nuk mund të vazhdojë ta përdorë futbollin për të pasuruar veten dhe miqtë e saj”. UEFA thotë se ka kundërshtim të konsiderueshëm ndaj planeve të FIFA-s. “Sot mësuam për afatin e FIFA-s për federatat që të mbështesin propozimin e saj ose të përballen me tërheqje të pagesës së njëhershme. Kjo thotë gjithçka që duhet të dini rreth këtij plani”, ka shkruar UEFA në komunikatën e së mërkurës.

“Por, pasi ka zhvilluar diskutime me shumë palë të interesuara në lojën tonë, UEFA e di se ka një kundërshtim të konsiderueshëm dhe në rritje ndaj skemës së FIFA-s. FIFA nuk mund të vazhdojë të përdorë sportin tonë për të pasuruar veten dhe miqtë e saj. Ne mund ta zhvillojmë lojën në mënyrë korrekte. Është koha t’u japim përparësi federatave, klubeve, ligave, lojtarëve dhe tifozëve”, ka shkruar tutje UEFA. FIFA prezantoi një propozim për krijimin e një filiali të ri, të quajtur FIFA Forëward Enterprise (FFE), ku do t’u ofrohet investitorëve të jashtëm mundësia për të marrë pjesë me aksione minoritare, pa kontroll mbi kompaninë.

Sipas FIFA-s, kjo nismë synon të rrisë fondet për zhvillimin e futbollit në mbi 10 miliardë dollarë, ndërsa çdo federatë anëtare mund të përfitojë deri në 20 milionë dollarë financim të njëhershëm për projekte zhvillimore. Sipas raportimeve të Financial Times dhe The Times, grupi i investitorëve pritet të udhëhiqet nga kompania amerikane Thrive Eternal, e themeluar nga Joshua Kushner. Vetë Infantino e mbrojti projektin, duke deklaruar se futbolli duhet të shpërndajë më mirë të ardhurat që gjeneron.

“Pjesë të futbollit e kanë kthyer popullaritetin e tij në një vlerë të jashtëzakonshme tregtare dhe ne e mirëpresim këtë sukses. Detyra jonë është të sigurohemi që edhe pjesa tjetër e futbollit të zhvillohet me të njëjtin ritëm”, tha ai.

Megjithatë, UEFA e kundërshton fuqishëm këtë qasje, duke paralajmëruar se mund të hapë rrugën për zgjerimin e mëtejshëm të turneve të FIFA-s, si në numrin e skuadrave ashtu edhe në frekuencën e zhvillimit, me synimin për të rritur të ardhurat. “Shpirti dhe qeverisja e futbollit nuk janë asete për t’u tregtuar, veçanërisht pa transparencë mbi atë se kush përfiton financiarisht. Asnjëri prej nesh nuk është pronar i futbollit. Ai nuk është i FIFA-s për t’u shitur,” thuhet në deklaratën e UEFA-s.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here