Referuar materialit që publikon “Top Channel”, debati për peshëngritësit shqiptarë që garuan për Greqinë, është kthyer sërish në qendër të vëmendjes. Faqja në Instagram “pyrrospyrros”, e lidhur me Pirro Dhimën, publikoi një postim kushtuar ish-kampionit Leonidas Sabanis. Në tekst përmendet rrugëtimi i tij në Greqi, medaljet olimpike dhe karriera me ekipin kombëtar grek. Por mungon një detaj: Leonidas Sabanis lindi si Luan Shabani, në Korçë, dhe sukseset e para ndërkombëtare i arriti duke përfaqësuar Shqipërinë.
Në Kampionatin Evropian të vitit 1989 në Athinë, ai fitoi medaljen e bronztë në kategorinë 56 kilogramë, duke i dhënë Shqipërisë medaljen e parë në historinë e saj në një Kampionat Evropian të peshëngritjes. Një vit më vonë, në Aalborg të Danimarkës, ai e përmirësoi edhe më tej këtë arritje, duke fituar medaljen e argjendtë, sërish nën flamurin kuqezi. Këto janë sukseset që i paraprinë karrierës së tij të njohur në Greqi. Pas ndryshimeve politike të fillimit të viteve ’90, Shabani u largua drejt Greqisë. Atje mori shtetësinë greke, ndryshoi emrin në Leonidas Sabanis dhe nga viti 1993 nisi të garonte me ekipin kombëtar grek. Me Greqinë fitoi dy medalje olimpike argjendi, në Atlanta 1996 dhe Sidnei 2000, si edhe medalje në kampionate botërore dhe evropiane, duke u shndërruar në një nga figurat më të rëndësishme të peshëngritjes greke. Në Lojërat Olimpike të Athinës 2004, medalja e bronztë iu hoq pasi rezultoi pozitiv në testin antidoping dhe u pezullua për dy vjet.
Në postimin e publikuar së fundmi, emri Luan Shabani nuk përmendet. Ai prezantohet si Leonidas Sabanis, me përshkrimin e karrierës së tij në Greqi dhe me fotografinë ku mban flamurin grek. Rrugëtimi i Luan Shabanit dhe Pirro Dhimës është pjesë e një fenomeni të viteve ’90, kur shumë sportistë shqiptarë u larguan jashtë vendit për shkak të kushteve ekonomike.







































