Plani i ri i Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë përfshin krijimin e një zone të çmilitarizuar në Donbas, heqjen dorë përfundimisht nga anëtarësimi i Kievit në NATO dhe heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Megjithatë, Donald Trump nuk po përpiqet ta detyrojë Ukrainën të kapitullonte, por ka të ngjarë të jetë “viktimë e një operacioni rus të informacionit”.
Kështu shkruan të enjten revista prestigjioze The Economist, duke iu referuar burimeve në administratën amerikane, siç raporton të premten media e pavarur ruse The Moscow Times. Sipas burimeve të The Economist, çështja kryesore për presidentin amerikan janë zgjedhjet e mesit të mandatit, të planifikuara për më 3 nëntor. Sondazhet parashikojnë mbështetje të ulët për Partinë Republikane dhe vetë presidentin. Për këtë arsye, sipas burimeve të revistës, Trump është “i përfshirë nga paniku” dhe e sheh presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si një “kokë turku”.
“Trump varet nga idiotët”
Zyrtarët amerikanë mendojnë se situatën e ndërlikojnë edhe më shumë të dërguarit e posaçëm të Trumpit, dhëndri i tij Jared Kushner dhe miku e partneri i tij i vjetër në biznes, Steve Witkoff. Sipas këtyre burimeve, ata “i keqinterpretojnë motivet e udhëheqësit rus Vladimir Putin” dhe, për këtë arsye, janë “të cenueshëm ndaj manipulimit rus”. Ndikim ka edhe Elon Musk, i afërt me administratën amerikane. Sipas burimeve, qëndrimi i tij ndaj Ukrainës është “i ndërlikuar”. Bashkëbiseduesit e revistës shprehen se “Trump po krijon një situatë të tmerrshme, por në të njëjtën kohë varet nga idiotët”, raporton The Moscow Times.
Ndërkohë, Shtëpia e Bardhë është e bindur se Kievi nuk kundërshton pikat kryesore të planit të ri amerikan të paqes. Sipas raportimeve, plani parashikon krijimin e një zone të çmilitarizuar në Donbas, lehtësimin e sanksioneve ndaj Rusisë dhe një sërë marrëveshjesh ekonomike, përfshirë rifillimin e furnizimit të Evropës me gaz rus. Në këmbim, Ukraina do të përfitonte një paketë investimesh dhe mundësinë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke hequr dorë nga anëtarësimi në NATO.
Megjithatë, në Kiev dyshojnë se Moska është vërtet e gatshme për paqe dhe besojnë se pala ruse do t’i zvarrisë negociatat. Zyrtarët amerikanë këmbëngulin se Trump nuk dëshiron ta detyrojë Ukrainën të kapitullonte, por pranojnë se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Kievit “po bëhen gjithnjë e më të paqëndrueshme”. Pas “marrëveshjes për karburantin dizel” me Putinin, më 9 tetor, presidenti amerikan rriti ndjeshëm presionin ndaj ukrainasve. Ai i akuzoi ata për zgjatjen e luftës, u bëri thirrje të ndalonin sulmet ndaj rafinerive ruse dhe propozoi zgjedhjen e një presidenti të ri ukrainas. Situata u përkeqësua më tej nga ndërprerja e komunikimeve satelitore përmes sistemit Starlink, e cila nisi më 14 tetor dhe goditi rëndë ushtrinë ukrainase.
As Musk dhe as Shtëpia e Bardhë nuk morën përgjegjësinë për ndërprerjen e funksionimit të këtij sistemi jetik për Ukrainën. Ndërkohë, të dërguarit e posaçëm Kushner dhe Witkoff ranë dakord me Zelenskyn për pikat kryesore të planit të ri të paqes më 20 tetor.
Të enjten, Trump deklaroi se “për herë të parë pas një kohe të gjatë, jemi pranë një marrëveshjeje paqeje”. Paralelisht, po shtohen spekulimet për një raund të ri negociatash paqeje. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi të enjten se Abu Dhabi, kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, po shqyrtohet si vend për zhvillimin e një takimi trepalësh mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës. Agjencia kineze e lajmeve Xinhua raporton se, sipas tij, negociatat mund të zhvillohen në gjysmën e parë të nëntorit.
Negociatat e reja në nëntor në Abu Dhabi?
“Për momentin, po diskutojmë për Abu Dhabin”, tha Peskov, duke iu përgjigjur pyetjes nëse kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara Arabe po shqyrtohet si vendi kryesor për zhvillimin e negociatave trepalëshe mes Rusisë, SHBA-së dhe Ukrainës, raporton agjencia Anadolu. Duke komentuar rezultatet e vizitës së fundit të Steve Witkoff në Rusi, të mërkurën, Peskov tha se aktualisht nuk ka plane për organizimin e një bisede telefonike mes presidentëve rus dhe amerikan. Megjithatë, ai shtoi se një bisedë e tillë mund të organizohet shpejt, me kërkesën e cilitdo prej dy liderëve.
Peskov refuzoi të zbulonte hollësi nga biseda mes presidentit rus Vladimir Putin dhe Witkoffit, duke theksuar se ndërmjetësimi në një proces kaq të ndërlikuar negociatash duhet të zhvillohet në mënyrë diskrete. “Diplomacia përmes megafonit dhe diskutimi publik i propozimeve mund të bëjnë vetëm dëm”, theksoi ai. I pyetur nëse Putini i kishte dorëzuar Witkoffit ndonjë dokument me propozime për arritjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, Peskov u përgjigj se nuk kishte ndodhur një gjë e tillë.
Duke folur për samitin e ardhshëm të grupit G20 në Miami, Florida, Peskov tha se ende nuk është vendosur nëse Putini do të marrë pjesë. Sipas tij, Moska do t’i shqyrtojë të gjitha rrethanat përpara se të vendosë nëse do ta pranojë apo refuzojë ftesën. Peskov deklaroi gjithashtu se Moska nuk ka dëgjuar nga Evropa mesazhe konstruktive që të tregojnë dëshirë për uljen e tensioneve me Rusinë. Megjithatë, ai i konsideroi si zhvillim pozitiv përpjekjet e disa kryeqyteteve evropiane për ta kuptuar më mirë situatën.
Ai tha gjithashtu se administrata amerikane po bën përpjekje të konsiderueshme për arritjen e një zgjidhjeje paqësore të luftës në Ukrainë, ndërsa kryeqytetet evropiane, sipas tij, po bëjnë pak për të kontribuar në paqe dhe, në vend të kësaj, po nxisin vazhdimin e armiqësive.



