Një nga pikat ku analistët dhe specialistët e futbollit mëshonin fort si këshillë për të çliruar futbollin nga ngërçi dhe për tu dhënë klubeve frymëmarrje e vijimësi, ishte aktivizimi i lojtarëve të rinj. Për sa kohë klubet nuk i aktivizojnë të rinjtë në skuadrën e parë, këtu hyn në lojë vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila merr masa me shprehjen rregullore që aktivizimi i të rinjve bëhet i detyrueshëm. Në fakt, një rregull të tillë e patën bërë në kohën e komunizmit, diku në mesin e viteve 80-të, ku klubet e kishin detyrim aktivizimin e një lojtari nën 18 vjeç.
Me këtë rregull janë zbuluar talente të shumtë dhe u është dhënë mundësia të luajnë disa prej yjeve të futbollit tonë. Ndoshta këtë ka synuar edhe FSHF e tanishme për tu dhënë një shans të rinjve. Në dukje duket një vendim diktatorial, që bie ndesh me objektivat e klubeve, por kjo në plan afatgjatë u jep shanse të rinjve të aktivizohen dhe të lakmojnë më tej kampionate më cilësore në Europë. Me këtë rregull në çdo qytet e në çdo skuadër do t’u jepet një shans elementëve të talentuar që nuk kanë mbushur moshën 19 vjeç.
Vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FSHF
Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit ka miratuar rregullin për aktivizimin e detyrueshëm të lojtarëve të rinj në kampionatet kombëtare, i cili do të hyjë në fuqi duke nisur nga sezoni sportiv 2026–2027. Ky vendim është pjesë e strategjisë së FSHF-së për zhvillimin e futbollit shqiptar, rritjen e mundësive për futbollistët e rinj dhe krijimin e një baze më të fortë për ekipet kombëtare. Gjithashtu, ky rregull përveçse synon rritjen e aktivizimit të futbollistëve të rinj shqiptarë në kampionatet kombëtare, rritjen e konkurrencës ndërmjet futbollistëve vendas, ka për qëllim krijimin e një modeli të qëndrueshëm zhvillimi për dekadën e ardhshme. Sipas rregullores së miratuar, në kampionatin Abissnet Superiore dhe në Kupën e Shqipërisë, çdo skuadër do të ketë detyrimin të aktivizojë nga minuta e parë, për të paktën një pjesë loje, një futbollist të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare.
Rregulli merr fuqi më të madhe në kategoritë inferiore
Ndërkohë, në Kategorinë e Parë, Kategorinë e Dytë dhe Kategorinë e Tretë, klubet do të duhet të aktivizojnë nga fillimi i ndeshjes të paktën një lojtar të datëlindjes 2007 e në vijim, me pasaportë shqiptare, i cili duhet të luajë gjatë gjithë kohëzgjatjes së ndeshjes, përveç rasteve të parashikuara nga rregullorja. Rregullorja përcakton gjithashtu se, në rast zëvendësimi të lojtarit që plotëson kriteret, ai duhet të zëvendësohet me një tjetër futbollist që përmbush të njëjtat kritere të moshës dhe shtetësisë. Nëse kjo nuk është e mundur, skuadra do të vazhdojë ndeshjen me një lojtar më pak për periudhën gjatë së cilës ekziston detyrimi i aktivizimit të futbollistit të ri. Rregulli do të zbatohet për të gjitha ndeshjet e kampionateve përkatëse, si edhe për Kupën e Shqipërisë. Klubet janë përgjegjëse për regjistrimin e lojtarëve dhe respektimin e dispozitave të rregullores.







































