Google search engine
Home Kulture Festivali i parë ndërkombëtar “Ramiz Kovaçi” në Krujë

Festivali i parë ndërkombëtar “Ramiz Kovaçi” në Krujë

0
24

Nga Julia Vrapi

Festivali i parë ndërkombëtar “Ramiz Kovaçi” i kushtohet artit lirik dhe trashëgimisë artistike të një prej artistëve të shquar shqiptarë. Ramiz Kovaçi “Nderi i Kombit” një nga figurat e mëdha të artit dhe kulturës shqiptare, ku këtë mbrëmje festivali zhvillon edicionin e parë në Krujë. Në këtë festival, që synon të mbajë gjallë trashëgiminë artistike të artistit të njohur dhe të frymëzojë brezat e rinj në rrugën e artit, janë ftuar edhe artistë të njohur. Festivali i parë ndërkombëtar “Ramiz Kovaçi” zhvillohet këtë mbrëmje në Krujë edhe si një nga aktivitetet e rëndësishme këtë sezon me performancën live të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura.

Në një postim në Facebook, Pallati i Kulturës në Krujë thekson se Ramiz Kovaçi la gjurmë të pashlyeshme në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. “Festivali i parë Ndërkombëtar  “Ramiz Kovaçi”. Një mbrëmje e veçantë kushtuar artit lirik dhe kujtimit të një prej figurave më të ndritura të kulturës shqiptare, Ramiz Kovaçit, artistit të shquar që me zërin, talentin dhe përkushtimin e tij la gjurmë të pashlyeshme në skenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ky festival synon të mbajë gjallë trashëgiminë e tij artistike dhe të frymëzojë brezat e rinj në rrugën e artit.

Me performancën live të Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura. Të ftuar specialë: Kastriot Tusha- tenor, Mjeshtër i Madh; Ramona Tollumani – Soprano. Artistë të rinj dhe plot surpriza artistike ju presin në këtë mbrëmje festive! Jeni të gjithë të mirëpritur të bëheni pjesë e këtij homazhi artistik për “Nderin e Kombit”, Ramiz Kovaçin”, shkruhet në postimin e Pallatit të Kulturës në Krujë, i cili fton publikun të bëhet pjesë e festivalit. Festivali i parë ndërkombëtar  “Ramiz Kovaçi” zhvillohet këtë mbrëmje në Pallatin e Kulturës “Ibrahim Bërdaku”, Krujë, ku hyrja është e lirë.

Ramiz Kovaçi solli në skenë një galeri të pasur rolesh

Në një material më parë nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit thuhet se i diplomuar me Medalje të Artë në Konservatorin e Sofjes dhe i specializuar në Akademinë “Santa Cecilia” në Romë, Ramiz Kovaçi u bë një nga emrat më të ndritur të skenës sonë lirike, si solist i parë i TKOB me një karrierë të jashtëzakonshme artistike.

Me nivel të lartë interpretimi, ai solli në skenë një galeri të pasur rolesh nga repertori shqiptar dhe ai botëror, në vepra të kompozitorëve si Zadeja, Daija, Gaci, Harapi, Kono, Verdi, Rossini, Leoncavallo, Puccini e shumë të tjerë. Ndër operat ku ai interpretoi role kryesore përmenden: “Skënderbeu”, “Borana”, “Mrika”, “Toka Jonë”, “Goca e Kaçanikut”, “Lulja e Kujtimit”, “Pranvera”, “Madama Butterfly”, “La Bohème”, “La Traviata”, “Rigoletto”, “Pagliacci”, “Peshkatarët e Perlave”, “Berberi i Seviljes”, “Carmen”, si edhe shumë vepra të tjera të rëndësishme të repertorit kombëtar e ndërkombëtar. Ai është gjithashtu një nga themeluesit e Institutit të Lartë të Arteve, ndërsa si pedagog ka përgatitur breza të tërë këngëtarësh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here