Tjetër sukses madhështor i xhudos shqiptare në një aktivitet të madh kontinental sikurse është Kampionati europian. Kështu, për herë të katërt Distria Krasniqi ka fituar titullin e kampiones së Evropës. Suksesin madhor, xhudistja kosovare e ka arritur për herë të tretë rresht. Distria fitoi të artën në Evropianin që të enjten nisi në Tbilisi të Gjeorgjisë. Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, 30-vjeçarja e mposhti francezen Amandine Buchard. Ndaj saj realizoi herët hedhje për “Yuko” dhe më pas kontrolloi luftën deri në fund. Kështu Kosova për vitin e 14-të rresht fiton medalje në kampionate kontinentale. Është kjo seri e mahnitshme që nuk duket se do të ndalet shpejt, falë punës së kryemjeshtrit Driton Kuka dhe nivelit që e kanë arritur xhudistët e tij. Distria ishte bartëse e parë e kategorisë deri 52 kilogramë dhe nuk lejoi befasi. Nisi me fitore ndaj çekes, Tereza Bodnarova. Ndaj saj fitoi me uazari, kurse dominoi gjithë luftën. Në luftën e dytë, përkatësisht në çerekfinale, e kontrolloi luftën taktike ndaj polakes Aleksandra Kaleta. Edhe ndaj saj fitoi me uazari. Në gjysmëfinale e kishte përballë italianen e njohur, Odete Giufrida. Ashtu si pritej, lufta ishte e fortë dhe thuajse e barabartë. Shkoi në kohën shtesë, kurse Distria fitoi më “Yuko”. Distria Krasniqi e Giufrida janë përballur për herë të 13-të në karrierë. Xhudistja kosovare tani i ka nëntë fitore e katër humbje. Ka fituar gjashtë luftërat e fundit. Xhudistja pejane është në ecuri të pabesueshme. Ka fituar medalje në 16 gara rresht. Gjatë karrierës së mahnitshme ka fituar edhe medalje të artë dhe medalje të argjendtë olimpike. Të enjten garuan edhe Fatjona Kasapi dhe Erza Muminoviq. Fatjona fitoi një luftë dhe u ndal në të dytën në kategorinë deri 52 kilogramë. Ndërkohë Erza u ndal në xhiron e parë në kategorinë deri 48 kilogramë. Madje e humbi luftën që thuajse e kishte fituar. Të premten garojnë Laura Fazliu, Akil Gjakova dhe Dardan Cena. Dhe shpresat janë që të fitohen medalje të tjera.
Rrugëtimi i suksesshëm i xhudos së Kosovës
Xhudo shqiptare vijon të korrë sukses në garat e mëdha ndërkombëtare. Në fakt bëhet fjalë për përfaqësuesen e Kosovës, e cila ka një nivel shumë të lartë dhe krahasohet me skuadrat më të mira të planetit në këtë sport. kjo falë edhe trajnerit të saj Driton Kuka, një teknik që është dëshmuar si “kombinat” i prodhimit të talenteve në këtë sport dhe që i ka sjellë Kosovës 5 medalje olimpike deri tani, prej të cilave 3 janë ari. Pra Kosova ka arritur një nivel shumë të lartë në xhudo dhe nuk është rastësi që kampionet e saj olimpike i paguan edhe shteti shqiptar si punonjëse të strukturave të sigurisë referuar gradave ushtarake përkatëse. Përtej shpërblimeve, duhet thënë se xhudo në Kosovë operon mbi baza profesionalizmi të skajshëm dhe suksesi nuk është rastësor, por fryt i një pune të disiplinuar dhe për një kohë të gjatë. Rasti i fundit i Distria Krasniqit e dëshmon më së miri këtë. Këto shembuj profesionistësh duhen ndjekur edhe nga shumësportëshi shqiptar.







































