Më në fund, përfaqësuesja e Italisë ka një trajner të ri, i cili vjen një javë pas shkarkimit të Luçiano Spaletit. Ishte një lëvizje emergjente, pasi federata e vendit fqinj dëshironte të kishte sa më parë një trajner në dispozicion që të mund të përgatiste grupin për duelet eliminatore të Botërorit në shtator. Referuar edhe mediave sportive italiane, nga dje, Ivan Xhenaro Gatuzo është trajneri i ri i Italisë në futboll. Federata e Futbollit e Italisë të dielën e konfirmoi Gatuzon si selektor të ri, ndërsa prezantimi i tij do të mbëhet të enjten. Gatuzo ka pasur karrierë të suksesshme si futbollist dhe tani i është besuar drejtimi i njërës prej përfaqësueseve më të mira në botë.
“Gatuzo është simbol i futbollit italian. Kjo fanellë është sikur lëkurë e dytë e tij. Motivimi i tij, profesionalizmi dhe përvoja do të jenë bazike në sfidën me ekipin nacional. Ai e di rëndësinë e objektivave tona dhe e falënderoj për gatishmërinë dhe përkushtimin në pranimin e kësaj sfide. Ai ndanë projektin e federatës për zhvillimin e futbollit tonë, në të cilën fanella e “Azzurrit” është pjesa qendrore”, ka thënë kryetari i Federatës së Futbollit të Italisë, Gabriele Gravina. Gatuzo e zëvendëson Luçiano Spalleti që u shkarkua një javë më parë pas një humbje të papritur nga Norvegjia. Spaleti ishte në krye të Italisë nga 18 gushti i vitit 2023 deri më 9 qershor të këtij viti. 47-vjeçari Gatuzo për Italinë i ka luajtur 73 ndeshje dhe ka realizuar një gol. Ka luajtur mesfushor dhe është shquar për angazhimin në fushë.
Karrierë ka bërë te Perugia, Rangersi, Salernitana, Milani dhe te Sioni në Zvicër. Kulmin e arriti te Milani për të cilën skuadër luajti prej vitit 1999 deriu në vitin 2012. Si trajner ka drejtuar skuadra si Sion, Palermo, OFI Crete, Pisa, Milan, Napoli, Valencia, Marseille. Së fundi ishte te Hajduku i Splitit në Kroaci, por nuk arriti synimet për ta fituar titullin e kampionit. Megjithatë federata italiane ia besoi pozitën e selektorit. Me Italinë, Gatuzo si lojtar e kishte fituar Botërorin në vitin 2006. Ka fituar trofe edhe me Milanin, duke përfshirë dy tituj në Serie A dhe dy në Ligën e Kampionëve. Pas disfatës 3:0 nga Norvegjia më 6 qershor, Italia fitoi 2:0 ndaj Moldavisë më 9 qershor. Gatuzo do të debutojë më 5 shtator në ndeshjen kualifikuese për Kupën e Botës 2026, ndaj Estonisë. Mbetet të shihet se si do të përshtatet Gatuzon ë krye të skuadës italiane, por një gjë është e sigurt: ai është teknik energjik dhe natyrisht që do të ketë edhe ndryshime në modelin e të luajturit.