Ja çfarë po ndodh me dosjen e Gërdecit në SPAK, avokati Idajet Beqiri zbulon se prokurorëve po iu bëhet presion

0
62

Rigels Seliman

Plot 17 vite pas tragjedisë së Gërdecit, një nga krimet më të rënda shtetërore në historinë e Shqipërisë, drejtësia vazhdon të lëkundet përballë presionit politik dhe ndikimit të errët të pushtetit të djeshëm. Avokat i njohur, Idajet Beqiri ka bërë një deklaratë të fortë gjatë një reagimi për gazetën “SOT”, duke akuzuar se prokurorët e SPAK se po përballen me kërcënime dhe presione të fuqishme për të mos çuar në burg Sali Berishën, djalin e tij Shkëlzenin dhe bashkëpunëtorët e tyre. Akuzat janë tronditëse: një strukturë kriminale, e ndërtuar mbi pushtetin politik, ka manipuluar sistemin për të shmangur ndëshkimin e merituar.

Nga zhdukja e dëshmitarëve, deri te intimidimi i gjykatësve dhe prokurorëve, duket se mekanizmat e errët të korrupsionit vijojnë të pengojnë drejtësinë. Ndërkohë, familjarët e 26 viktimave dhe qindra të plagosurve vijojnë të presin përgjigje, ndërsa aktorët kryesorë të kësaj tragjedie shëtisin të lirë. Por a do të triumfojë më në fund drejtësia, apo Gërdeci do të mbetet një tjetër dosje e mykur në arkivat e pandëshkueshmërisë shqiptare? Kjo mbetet të shihet, ndërkohë që më poshtë po pasqyrojmë reagimin e plotë të avokat Beqirit.

Ja reagimi i avokat Beqirit për gazetën “SOT

“Gërdeci është një krim i rëndë shtetëror i kryer nga familja kryeministrore e Sali Berishës. Kjo familja kriminale, kusarë në gen, përmes dy peshkaqenëve të saj Shkëlzen Berisha dhe Argita Berisha, pasi studiuan pasuritë kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, ju doli me leverdi të madhe të bënin trafikimin e armëve dhe shitjen e barutit dhe të tunxhit të fishekëve, duke i grabitur Shqipërisë miliona dollarë. Me ndihmën e babait të tyre kryeministër, misionarin e Millosheviçit të Serbisë për të shkatërruar ekonominë, ushtrinë dhe për të grabitur pasuritë e popullit, këta dy kusarë të familjes Berisha, siguruan gjithë strukturën kriminale me VKM dhe akte nënligjore që të ndërtonin fabrikën e vdekjes pranë kryeqytetit të vendit.

Shkëlzen Berisha, lubia më e madhe e korrupsionit dhe pangopësisë së tij me pasuri të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, pasi vuri në rresht ministrat e Sali Berishës, ministrin e drejtësisë Aldo Bumçi dhe ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, arriti të shfrytëzoi barbarisht pasuritë kombëtare të mbrojtjes së atdheut, vodhi miliona dollarë nga trafikimi i fishekëve dhe nga pangopësia dhe ligësia ndaj shqiptarëve, aktivizoi “çernobilin” shqiptar. Në kushte skandaloze sigurie, Shkëlzen Berisha, pasi punësoi në shërbim të kusarisë për familjen e tij dhjetra deri qindra punëtorë të pakualifikuar, gra dhe fëmijë, pasi përvetësoi prej çmontimit në kushte skandaloze sigurie afro gjysëm miliardi dollarë nga baruti dhe tunxhi i fishekëve, siguroi kushte për ta hedhur në erë fabrikën e vdekjes, duke vrarë 26 persona dhe lënë invalidë të përjetshëm 300 persona të tjerë, veç miliona dollarëve dëme në pasuritë e banorëve të zonës.

Sali Berisha dhe Shkëlzen Berisha, përmes grupit të tyre kriminal arritën të eliminojnë deri edhe fizikisht denoncuesin e kësaj masakre shtetërore, Kosta Trebicka, si dhe të mposhtin dhunshëm dhe me kanosje serioze për zhdukje të tjera fizike, posaçërisht prokurorët dhe gjykatësit që u morën dhe po merren me tragjedinë e Gërdecit, duke mos u ndëshkuar kjo familje kriminale për këto vrasje masive. SPAK është intimiduar keqas nga Familja kriminale e Sali Berishës dhe e grupit të tyre kriminal që bëjnë ekzekutime të tipit “Trebicka”, për rrjedhojë edhe pas 17 viteve, i vinë anës, në vend që të çojnë në bankën e të akuzuarve Sali Berishën, Shkëlzen Berishën, Argita Berishën, Aldo Bumçin, Fatmir Mediun etj, etj, bashkëpunëtorë kriminalë të tyre, duke ju dhënë dënimin e merituar me burgim të përjetshëm”, deklaroi Beqiri për gazetën “SOT”. Sqarim: Gjithkush prezumohet i pafajshëm derisa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim të formës së prerë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here