Kosova mund të bëhet shumë shpejt me Kryeprokuror të Shtetit, pas tre vitesh funksionimi me ushtrues detyre në këtë pozitë të rëndësishme. Në mbledhjen e së hënës, Këshilli Prokurorial i Kosovës publikoi pikët e kandidatëve dhe dha rekomandimin përfundimtar, duke zgjedhur Zejnullah Gashin, aktualisht kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Nga numërimi i votave rezulton se kandidati që ka marrë shumicën e thjeshtë të votave, prej 5 votash gjithsej, është Zejnullah Gashi, ndërsa Rafet Halimi një votë dhe kandidatët e tjerë nuk kanë marrë vota. Konstatoj se Këshilli Prokurorial i Kosovës, pas votimit të fshehtë, me pesë vota për, nominon Zejnullah Gashin për Kryeprokuror të Shtetit. I njëjti i propozohet Presidentes së Kosovës për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit”, është shprehur Arian Gashi, Kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Pas vendimit të KPK-së, organizatat e shoqërisë civile vlerësojnë se nuk ekziston asnjë pengesë kushtetuese apo ligjore që ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ta dekretojë Zejnullah Gashin në këtë post.
“Tani, normalisht që i mbetet presidentit të shtetit ta dekretojë kandidatin për Kryeprokuror të Shtetit. Ne, si organizatë, bëjmë thirrje që sa më shpejt të përfundojë ky proces dhe të mos humbim kohë, në mënyrë që Kosova ta ketë Kryeprokurorin e Shtetit, pasi e dimë se kjo pozitë tash e një kohë të gjatë është me ushtrues detyre. Ka aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese që e kanë bërë të qartë se, për shkak të administrimit të procesit të drejtësisë, edhe ushtruesi i detyrës së presidentit nuk ka ndonjë kufizim. Nuk ka pengesa kushtetuese as ligjore”, është shprehur, Vullnet Bugaqku, KDI.
Pas dërgimit të emrit në Presidencë, vlerësohet se Kosovës i nevojitet një Kryeprokuror i Shtetit me legjitimitet të plotë. Aktualisht këtë funksion e ushtron Blerim Isufaj, i cili ka qenë ushtrues detyre për tre vjet.
Blerim Isufaj mbeti ushtrues detyre pas refuzimit të ish-presidentes Vjosa Osmani për ta dekretuar në këtë post. Vetëvendosje kishte shprehur kritika ndaj punës së tij, përfshirë edhe çështjen e heqjes së fletarrestimit ndaj të dyshuarit kryesor për sulmin në Banjskë, Milan Radoiçiç.









































