Google search engine
Home Ekonomi Sezoni turistik në Durrës, mungojnë pushuesit nga Kosova dhe diaspora

Sezoni turistik në Durrës, mungojnë pushuesit nga Kosova dhe diaspora

0
23

Edhe pse sezoni turistik në bregdetin e Durrësit nisi me pritshmëri të larta pas një qershori pozitiv, fillimi i korrikut nuk ka sjellë fluksin e turistëve që ishte parashikuar. Operatorët turistikë thonë se këtë sezon vihet re mungesa e pushuesve nga Kosova dhe diaspora shqiptare, të cilët zakonisht rezervojnë pushimet në minutën e fundit dhe përbëjnë një pjesë të rëndësishme të vizitorëve gjatë muajve korrik dhe gusht.

“Kemi dalë nga parashikimet pasi në muajin korrik kemi një zbrazje të rezervimeve individuale. Po të shohësh edhe shëtitoren është akoma e vakët, që do të thotë ka mungesë të turistëve. Por ka një mungesë të turistëve nga diaspora dhe Kosova. Një nga arsyet është se vendet e Evropës po japin oferta më të lira dhe kjo duhet parë me shumë kujdes, si edhe pjesa e trazirave e protestave që, dashje pa dashje, mund të kenë ndikuar”, është shprehur Blerim Norja, Operator turistik.

Megjithatë, hotelet vijojnë të kenë turistë falë kontratave të garantuara me operatorët turistikë. Në Durrës vazhdojnë të mbërrijnë vizitorë nga Polonia, Çekia dhe Sllovakia, ndërsa këtë verë nuk mungojnë as turistët nga vende më të largëta.

“Vij nga Polonia. Është hera ime e parë. Më pëlqen shumë. Po qëndroj rreth 5 kilometra larg nga këtu dhe është vërtet shumë bukur. Mendoj se çmimet janë shumë të mira krahasuar me vendet e tjera që kam vizituar në Europë. Ushqimi është i mirë, njerëzit janë të sjellshëm, kështu që më pëlqen shumë”, është shprehur turisti nga Polonia.

Ndërkohë, një turist nga Uzbekistani është shprehur se çmimet në vendin tonë janë shumë normale dhe jo shumë të larta.

“Po, është hera e parë këtu. Jam vetëm në ditën e dytë. Çmimet janë në rregull, nuk janë aq të shtrenjta krahasuar me Mbretërinë e Bashkuar. Ushqimi është shumë i mirë, kryesisht kemi provuar ushqim tradicional”, është shprehur ai.

Pavarësisht nisjes më të vakët të korrikut, operatorët turistikë mbeten optimistë se javët në vijim do të sjellin më shumë rezervime. Megjithatë, ata pranojnë se boshllëku i krijuar në fillim të muajit mund të ndikojë në bilancin përfundimtar të sezonit veror.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here