Piktori Mikel Temo hap ekspozitën me piktura “Fytyra të një kohe të pasigurt”, një dialog me vetveten mbi pasigurinë e kohës që jetojmë

0
145

Piktori Mikel Temo vjen me ekspozitën personale “Faces of Uncertain Times”. Punime në pikturë që janë realizuar gjatë viteve të fundit janë pjesë e ekspozitës me portrete dhe autoportrete . Piktori tregon se ekspozita me piktura “Fytyra të një kohe të pasigurt” vjen pas asaj personale, që hapi në vitin 2018. Ai thotë se janë punë që janë realizuar në vitet 2019-2023 dhe që ekspozohen për publikun në “Galerinë 70” në Tiranë. Piktori Mikel Temo i vlerësuar në aktivitetin e tij artistik, sjell këtë herë për publikun portrete dhe autoportrete  të cilat përcjellin te publiku pasiguri, por edhe elementë shprese. Piktori thotë se autoportretet janë motivi i ekspozitës. “Tre janë autoportrete dhe tre janë punë jashtë autoportretit. Këto tre autoportrete janë qendra e ekspozitës dhe më mirë se sa të marrësh vetveten si shembull për të dhënë një ide të caktuar rreth pasigurisë së kohës sot nuk ka. Të marrësh me qera fytyrën e një tjetri nuk është aq e këndshme, ndërkohë që fytyra jote mund të kthehet simboli i asaj që do të thuash. Kjo është arsyeja pse kam marrë autoportretin si pikënisje për të thënë diçka”, shprehet piktori Mikel Temo, pedagog i arteve. Ekspozita u çel për publikun në “Galerinë 70” në qendrën “Toptani” dhe sjell 6 punime në pikturë, por dhe një skulpturë është pjesë e saj. Piktori tregon se nga viti 2018 që ka hapur ekspozitën e fundit personale ka qenë pjesëmarrës në të tjera ekspozita në grup artistësh. “Punët janë bërë ndër vite, duke nisur që nga 2019 deri këtë vit. Nga viti 2018 që nuk kam ekspozuar unë kam punuar, ndonjë prej tyre edhe është ekspozuar në ekspozita kolektive. Kjo ekspozitë personale vjen pas asaj që u hap në vitin 2018 dhe do të qëndrojë deri më datën 17 qershor”, thotë piktori Mikel Temo.

Cikli i autoportreteve

 Studiuesi Luan Topçiu në një material rreth ekspozitës shprehet se ??cikli i autoportreteve që ofron piktori Mikel Temo në ekspozitën “Faces of Uncertain Times” bën pjesë në atë lëvizje të artit botëror që synonte revolucionarizimin e portretit bashkëkohor, duke shmangur çdo paragjykim dhe puritanizëm të rremë. (Lucian Freud, Francis Bacon etj). “Portretet e Mikel Temos bëjnë pjesë në atë përçapje të reformimit të estetikës. Cikli i punimeve klithma pa zë, të trondit në pamje të parë, por nëse tejkalojmë goditjen e parë psikologjike instiktive, që na shkakton kontakti i parë me to, do të zbulojmë artin e thellë. Përmes sinqeritetit të tij çarmatosës do të kuptojmë shumë shpejt se bukuria e një pikturë nuk përkon patjetër me anën e këndshme të saj. ?Kemi të bëjmë me një art që ndryshon qëllimisht pamjen e gjërave, jo për ironi, as për sarkazëm, por që bazohet në një ndjenjë krejtësisht tjetër – admirim, dashuri, ankth, makth, frikë, panik. Është një e vërtetë e thjeshtë që ndjenjat ndikojnë mënyrën se si shohim sendet, botën dhe njerëzit. Veprat synojnë të shprehin transformimin e të gjitha ndjesive tona nën ndikimin e një emocioni të papritur”, shprehet studiuesi ndër të tjera. Sipas tij, ndryshe nga Edvard Münch (1863-1944), një nga ikonat e artit modern, i cili, në kryeveprën e tij “Britma”, nuk pikturon njeriun, por britmën, në një reduktim të detajeve të personit që e emeton, Mikel Temo nuk heq dorë nga anatomia dhe detajet, nga plastika e forma a materializuar. “Britma e tij është një pamundësi artikulimi, më shumë se zërin e piskamës, ndjemë shurdhimin e saj, pamundësinë për ta dëgjuar, dramën e mosshprehjes së saj. Mbetet një britmë në tentativë. Tablotë dëshmojnë forcë. Qenia mbërrin në kulmin e akumulimit dhe duhet të shpërthejë, si një enë e tejmbushur nën presion. Temo ia beson të gjitha këto portretit të përçudnuar në vuajtje, përmes elementeve anatomikë dhe psikologjikë goditës. Autoportretet e Mikel Temos janë realizuar në një nga periudhat më të pazakonshme, atë të pandemisë, të krizës që përjetoi mbarë njerëzimi. Ato mund të lexohen si një aluzion, si një metaforë për të dalë nga izolimi, nga makthi i vetmisë, nga kriza, nga të gjitha krisjet që merr njeriu modern”, shprehet studiuesi Topçiu. Mikel Temo diplomohet në degën Pikturë Monumentale dhe Vizatim në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri në vitin 1986, pas trajnimit në një program intensiv në artin tradicional realizoi një doktoraturë në Arte në vitin 1997. Pas udhëtimeve eksploruese në muzetë e arteve në Itali dhe Francë puna e tij u bë më abstrakte me gjurmë nga realiteti. Punët e artistit pamor Mikel Temo janë pjesë e fondit të përhershëm të Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here