Një valle që mbart në lëvizjet e saj historinë, kujtesën dhe shpirtin e një tradite të tërë tashmë i shtohet pasurisë së dokumentuar të trashëgimisë shqiptare. Vallja e Osman Takës, është përfshirë në Listën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Shqipërisë. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja shprehet se një nga shprehjet më të veçanta të trashëgimisë kulturore shqiptare dhe simbol i identitetit çam, kjo valle mbart historinë, krenarinë dhe qëndresën e një tradite të përcjellë ndër breza.
“E lidhur me figurën legjendare të Osman Takës nga Konispoli, vallja dallohet për lëvizjet e fuqishme dhe elegante, përmes të cilave përcillen trimëria, sakrifica, solidariteti dhe shpirti i lirë”, shprehet Gonxhja në rrjete sociale. Nga ana tjetër, Bashkia Konispol e ka cilësuar regjistrimin e Valles së Osman Takës si një moment të rëndësishëm për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të zonës. “Kjo nismë e përbashkët e Bashkisë Konispol me Fondacionin Çamëria Hasan Tahsini, u finalizua me sukses për ti dhuruar gjithë Shqipërisë një pjesë të traditës sonë”, thuhet nga bashkia. Ndër të tjera, Bashkia Konispol thotë se Vallja e Osman Takës është shumë më tepër se një krijim artistik.
“Ky është një lajm i madh dhe i shumëpritur për Bashkinë Konispol dhe gjithë shqiptarët e Çamërisë, pasi Vallja e Osman Takës është shumë më tepër se një krijim artistik. Ajo është pjesë e identitetit, kujtesës dhe trashëgimisë kulturore të Konispolit dhe një nga shprehjet më të veçanta të pasurisë sonë shpirtërore e folklorike”, thuhet nga bashkia. Gjithashtu Bashkia Konispol shpreh mirënjohje për studiuesin Enver Kushi, për referimin, hulumtimin dhe studimin e realizuar mbi Vallen e Osman Takës, si dhe për kontributin e tij në dokumentimin e historisë, vlerave dhe veçorive të saj, ndërsa vlerëson edhe kontributin e të gjithë atyre që u angazhuan në këtë proces dhe në përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm.











































