Futbollistët shqiptarë që luajnë me përfaqësuesen e Zvicrës dhe në skuadrat e ndryshme në dy ligat kryesore të futbollit zviceran gëzojnë simpati dhe respekt të madh atje. Por ka dhe lajme të bujshme rreth tyre, sidomos kur është fjala për kapitenin Granit Xhaka. Ky i fundit njoftoi dje se është dënuar me kusht nga Prokuroria Publike e Luzernës. Kapiteni i Zvicrës, Xhaka, njoftoi publikisht të enjten dënimin për falsifikim të certifikatës për COVID-19. 34-vjeçari mori gjobë me kusht në total prej 150 mijë frangash. Gjobën do ta paguajë vetëm nëse bën shkelje gjatë dy vjetëve të ardhshme. Ai shtoi se kishte dhënë një deklaratë të plotë në zyrën e prokurorit të qarkut, kishte paguar tashmë shpenzimet gjyqësore dhe kishte pranuar vendimin. “Pasi dhashë një deklaratë të plotë në zyrën e prokurorit publik, vendimi i prokurorit është marrë. Jam dënuar me një urdhër penal për marrjen e një certifikate të falsifikuar, duke marrë një gjobë monetare me kusht prej 50 tarifash ditore prej 3,000 franga, me një periudhë prove dyvjeçare.
Kjo do të thotë që dënimi nuk do të zbatohet për sa kohë që nuk kryej ndonjë vepër tjetër penale gjatë kësaj periudhe. Unë kam paguar tashmë shpenzimet procedurale”, ka shkruar Xhaka në Instagram. Pasi “Blick” raportoi më 18 shtator se kundër Xhakës ishte nisur një procedurë penale, Xhaka pranoi tre ditë më vonë se kishte blerë një certifikatë të falsifikuar COVID-19 në vitin 2022. Si rezultat, ekipi i Zvicrës mbajti grumbullimin e parë pas Kupës së Botës pa kapitenin e tij. Zvicra fitoi të katër ndeshjet e para të edicionit të pestë të Ligës së Kombeve.
Qëndrimi i Xhakës
Mesfushori shqiptar që luan prej shumë vitesh me përfaqësuesen e Zvicrës, ka pranuar fajësinë dhe ka premtuar se nuk do të shkelë rregullat për dy vitet në vazhdim. “E pranoj vendimin dhe marr përgjegjësinë. Faleminderit për shumë mesazhe mbështetëse gjatë disa javëve të fundit. Ato kanë shumë rëndësi për mua”, e ka mbyllur Xhaka njoftimin në rrjetet sociale. Ende nuk është e qartë se çfarë pasojash do të ketë vendimi kundër Xhakës në nivelin sportiv. “Jemi informuar për vendimin e prokurorit”, deklaroi Federata Zvicerane e Futbollit në përgjigje pas interesimit të “Keystone-SDA”. Sipas Federatës “është mirë që çështja është zgjidhur ligjërisht”. “Bazuar në këtë, tani mund të zhvillojmë diskutimet e njoftuara më parë se si do ta formësojmë të ardhmen së bashku”.
Përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Jakin, kishte shprehur së fundmi një dëshirë të fortë që mesfushori të rikthehej, ndërsa presidenti i Federatës, Peter Knabel, i mbajti të gjitha opsionet të hapura. Në përkrahje Xhakës i kanë dalë edhe lojtarët e po ashtu edhe tifozët. Kanë bërë thirrje për kthimin e Xhakës te Zvicra. Edhe vetë Xhaka kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer te Zvicra si kapiten. Dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, Zvicra i luan në nëntor. Në udhëtim luan kundër Sllovenisë, ndërsa e pret Skocinë. Pas situatës rreth tij, Xhaka kthehet në normalitet. Në fundjavë mesfushori qendror dhe klubi i tij, Sanderland, do të përballen me Brighton në shtëpi në Premier League të shtunën.








































