Broja ndër 18 lojtarët më të shpejtë në botë, por këtë vit nuk i shërben Silvinjos

0
117

Trajneri brazilian i Kombëtares tonë, Silvinjo, ka nisur gjurmimin e futbollistëve kuqezi në kampionatet e ndryshme europiane, duke dhënë detyra edhe për ndihmësit e tij që të interesohen për minutazhin, ,mënyrën e lojës, cilësitë teknike dhe përshtatshmërinë, si dhe formën sportive të momentit, në mënyrë që të sigurojë një bërthamë të aftë që të përballojë eliminatoret e Europianit 2024. Në fakt, Silvinjo vëmendjen kryesore e ka në kampionatin italian, në të dy seritë e tij, pasi aty ndodhet kontigjenti kryesor i lojtarëve tanë, por nuk mbetet jashtë vëmendjes as kampionati spanjoll e ai zviceran. Por të paktën tre lojtarë i ka në kampionatin anglez prej të cilëve dy sulmues, por që të dy të dëmtuar. Është Manaj dhe Broja. Ky i fundit i dëmtuar në menisk nuk kthehet para verës, pra Silvinjo nuk mund të llogarisë shërbimet e tij në ndeshjet e para, por mund të shpresojë për ndeshjet që do të luhen në vjeshtë. Broja është superlojtar, me të dhëna të shkëlqyera, por ai ka probleme me dëmtimin afatgjatë, ndaj Silvinjo po sheh alternativa të tjera.

Broja në “top” 20 lojtarët më të shpejtë

Është një kënaqësi e veçantë të shohësh një lojtar të përfaqësueses së Shqipërisë në top-18 lojtarët më të shpejtë në botë në lojën e futbollit. Aktualisht aty ka emra të spikatur, si Kilian Mbape e Osman Dembele, pa harruar Leao të Milanit e Vinicius të Realit të Madridit. Pra, ndërsa futbollisti shtatlartë i Kombëtares është në fazën e rikuperimit, duke ndjekur këshillat e fizioterapistëve dhe ku nuk duhet të nxitojë nëse dëshiron një aftësim në kohë dhe pa probleme, për të ka një lajm të mirë në median ndërkombëtare. Kështu, faqja e specializuar “speedsdb.com” është kujdesur për të zbuluar renditjen kurioze të sprintierëve më të mirë në futboll. Vetëm një lojtar i Serisë A shfaqet në top- 30, ndërkohë që podiumi është befasues, me Kilian Mbape që rezulton të jetë lojtari i tretë më i shpejtë, pasi janë dy futbollistë të Premier League-s që e djegin me “fotofinish”. Mes sprinterëve të futbollit rezulton edhe sulmuesi i Kombëtares Shqiptare Armando Broja, i 18-të më këtë renditje të veçantë, duke lënë pas emra si Hakimi, En-Nesiry dhe Zhao Mario. Duhet thënë se sulmuesi kuqezi qëndron në pozita thuajse të barabarta me sulmuesin premtues të Realit të Madridit, brazilianin Vinicius Junior. Kjo ia shton më tej vlerat futbollistit shqiptar dhe Broja ka dëshmuar se ka një sprint të fuqishëm dhe shpërthime mjaft të mira në lojën ofensive, por atij i duhet nga pas një skuadër që e mbështet dhe punon për të. Shkodrani do të dijë të tregojë vlerat e tij në fushën e lojës. Vetë ai e ka konsideruar Kombëtaren një motivim më shumë dhe që dëshiron të lerë gjurmë me ngjyrat kuqezi. ëndërr mbetet ta kualifikojë Shqipërinë në një kampionat botëror, gjë për të cilën ai ka shumë besim se do të realizohet.

Renditja nga në top-18

1.Botman (Njukasëll): 39.21 km/h

2.Nunez (Liverpul): 38.00 km/h

3.Mbape (PSG): 37,90 km/h

4.Mudrik (Çelsi): 36.63 km/h

5.Dembele (Barcelona): 36,60 km/h

6.Adama Traore (Ulverhempton): 36,60 km/h

7.Leao (Milan): 36,50 km/h

8.F. Valverde (Real Madrid): 36,30 km/h

9.Alfonso Davies (Bajern Mynih): 36,21 km/h

10.Nuno Tavares (Marsejë): 36,21 km/h

11.A. Garnaço (Mançester Junajtid): 36.20 km/h

12.Adejemi (Borusia Dortmund): 36,1 km/h

13.M. Diabi (Bajer Leverkusen): 36,10 km/h

14.Haland (Mançester Siti): 36,04 km/h

15.Rafa Silva (Benfika): 35,90 km/h

16.Vinicius JR. (Real Madrid): 35,40 km/h

17.Reinildo (Atletiko Madrid): 35,40 km/h

18.Armando Broja (Çelsi): 35,30 km/h

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here