Koncerti “Klasikët në opera” me veprat e autorëve të njohur botërorë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit

0
83

Koncerti “Klasikët në opera” është pjesë e kalendarit artistik të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit këtë muaj të parë të vitit. Një koncert me pjesë muzikore nga autorë të njohur botërorë, ku përmendim Wolfgang Amadeus Mozart, Johann Sebastian Bach, Antonio Salieri. Klasikët do vijnë në Opera falë profesionalizmit të artistëve të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, si dhe bashkëpunimit me orkestrën më të re në vend, atë të Forcave të Armatosura Shqiptare, një koncert me dirigjent Dritan Lumshin. Ky është koncerti i dytë që zhvillon këtë muaj të parë të vitit TKOB dhe siç shprehet do të jetë një koncert shumëngjyrësh. “Edhe ne besojmë fort se “kur fjalët mbarojnë, muzika fillon të flasë”! Ndaj kemi vendosur ta lëmë muzikën e kolosëve botëror të kryeveprave klasike të kumbojë brenda “Teatrit të Përjetimeve”, në një koncert simfonik shumëngjyrësh, që do të depërtojë thellë në ndjenjat e gjithsecilit. Këtë radhë, gjurmët e klasikëve vijnë në Opera si asnjëherë më parë, me mjeshtërinë e orkestrës së TKOB-së nën dirigjimin e artistit të shquar, Dritan Lumshi, ndjekur nga solistja në piano, Etrita Ibrahimi, e solistja në flaut, Enalda Gjoni, si dhe me bashkëpunimin e Orkestrës së Forcave të Armatosura. Ju bëjmë me dije se koncerti “Klasikët në Opera” do të shfaqet vetëm më 14 janar”, thuhet nga TKOB në rrjete sociale për këtë koncert, që do të zhvillohet pas ditësh për publikun.

Programi koncertor

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit më parë bënte me dije për koncertet, që do të zhvillohen këtë muaj të parë të vitit. TKOB shprehej se kalendari artistik- janar 2023 sjell ndërmend gjurmët e kompozitorëve të mirënjohur botëror të muzikës klasike. “Me 4 premiera në koncerte simfonike,  5 solistë në violinë, piano, flaut e violonçel dhe me kryeveprat klasike të Mozart-it Tchaikovsky-t, Prokofiev-it, Shostakovich-it, etj. Ju mirëpresim në teatrin e përjetimeve!” shprehej institucioni në rrjete sociale. Koncerti i parë ishte ai i datës 10 janar me titull “Not’te da Oscar”. Kolonat zanore të filmave të njohur amerikanë ishin pjesë e koncertit të parë të orkestrës simfonike të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baleti. Pas koncertit “Klasikët në opera” më 14 janar, mbrëmja e datës 21 janar sjell për publikun në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit koncertin me titull “Një natë ëndrrash”. Koncerti i radhës që vjen premierë këtë muaj për publikun është ai i datës 28 janar titulluar “Violonçeli misterioz”. Në muajin dhjetor të vitit që lamë pas drejtoresha e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit Abigeila Voshtina gjatë prezantimit të kalendarit artistik për këtë vit që ka nisur u shpreh ndër të tjera se përmban një program muzikor me synim rritjen e cilësisë artistike. Gjithashtu më parë drejtoresha Voshtina tha se teatri i bashkohet dhe institucioneve të tjerë në botë në shpalljen e 2023 si “viti Verdian”, ku nuk do të mungojnë dhe kryeveprat e këtij autori.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here