Zbardhet çmimi i energjisë për bizneset, të lidhurit në tensionin 35 KV mund ta blejnë me 24 euro/kWh, çmimet në bursa më ulët

0
85

Bizneset e lidhur në tensionin 35 KV, që kanë dalë në treg të lirë energjie në vitin 2019 do të mund të blejnë energjinë me 24 euro/kWh, nga Furnizuesi i Tregut të Lirë.  Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike ka zbardhur shifrat e ankandit të zhvilluar në datën 23 dhjetor të viti të kaluar e që u njoftua nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku 5 ditë më pas. Sipas njoftimit të OSHEE, ankandi përfshin blerjen e energjisë elektrike për nevojat e furnizimit të këtyre klientëve për periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2023, ndërkohë që fitues është shpallur Korporata Elektorenergjetike Shqiptare, që ka hyrë në garë me 6 kompani të tjera, që ofertuan çmime më të larta. Me mbylljen e ankandit u arrit të sigurohet sasia prej 61,320 Mwh, me vlerë totale prej 14,716,800 Euro, pa TVSH. Realizimi i kësaj gare u cilësua nga Balluku si një artificë e qeverisë për të ndihmuar bizneset e liberalizuar, të lidhur në tensionin 35 KV, të cilët gjatë vitit të kaluar u përballën me çmime tejet të larta energjie, për shkak të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, duke marrë në konsideratë ecurinë e çmimeve të energjisë në tregjet ndërkombëtare do të shihet në vijim nëse kjo kategori biznesesh do të preferojë këto çmime. Kjo pasi, janari i këtij viti ka nisur me rënie të ndjeshme të çmimeve të energjisë, ku sipas të dhënave nga Bursa e Hungarisë çmimet deri më sot kanë variuar nga 100 – 180 euro/ mWh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here