Baleti “EXIL” në TKOB, koreografia nga Eno Peçi tregon për fëmijërinë e humbur dhe nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre

0
133

Baleti Kombëtar i Kosovës solli shfaqjen “EXIL” me koreografi nga Eno Peçi, në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit. Shfaqja erdhi për dy net në skenë dhe më parë TKOB shprehej si përvojë arti për të mos u humbur. Baleti “EXIL” i realizuar nga Baleti Kombëtar i Kosovës, me koncept dhe koreografi të Eno Peçit pasqyron problemet sociale të shoqërisë dhe ikjen nga vendi si një prej mundësive për të dalë nga problemet. Eksodi ndan popujt dhe klanet. Familjet janë copëtuar. Prindërit i dërgojnë fëmijët e tyre jashtë vendit për t’u mundësuar atyre një të ardhme më të mirë. Ndonjëherë fëmijët kanë sukses – shpesh jo. Bandat pasurohen nga mjerimi i të arratisurve dhe i sjellin në situata edhe më të këqija. E ardhmja nuk është kudo e mundur. Koreografia e Eno Peçit tregon për familjet e shkatërruara, për fëmijërinë e humbur, për nënat e braktisura që kërkojnë kuptim në mërgimin e fëmijëve të tyre. Shfaqja e baletit “EXIL” u shfaq më 29 nëntor në skenë dhe u rikthye edhe mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, me koreografinë e Eno Peçit, si dëshmi artistike e mijërave historish eksodi. Në kuadër të festimeve të 110 -vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Baleti Kombëtari Kosovës u bë pjesë e programit Java Kulturore Kombëtare, me shfaqjen “Exil”, me koreografi nga Eno Peçi. Baleti Kombëtar i Kosovës me këtë shfaqje ka udhëtuar dhe në skena të tjera, si në Gjilan apo dhe në Mitrovicë.

 Aktiviteti i koreografit

Nga Filarmonia e Vjenës Eno Peçi erdhi në Prishtinë, me premierë në Baletin Kombëtar të Kosovës. Premiera e shfaqjes “EXIL” u shfaq në vitin 2019 në Teatrin Kombëtar të Kosovë. Më herët për këtë shfaqje koreografi Eno Peçi ka shprehur se quhet “Exil”, me një histori, që bazohet në vitet ‘97-’98. “Në ngjarjet që kanë ndodhur në Shqipëri, nuk është autobiografia ime”, ka pohuar ai. Eno Peçi nuk ka munguar dhe më parë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, por këtë herë ishte  me “EXIL”. Eno Peçi njihet si i pari balerin shqiptar, i cili performoi live në Koncertin e Vjenës të fillim vitit 2014. Në vitet 1994-1998 studion në shkollën e baletit në Tiranë. Më 1998-2000 ndjek shkollën shtetërore të baletit në Vjenës. Në vitin 2000 ai u bë anëtar i Teatrit të Operës e Baletit të Vjenës. Ndër pjesët e tij më të rëndësishme numërohen tek “Spartaku” i Renato Zanelas dhe “Impresionet e Çajkovskit” të Ivan Kavalaris, “Mjekërkuqi”, “Liqeni i mjellmave” të Rudolf Nurejevit, “Maçoku me çizme” dhe “Pas de qatre” te “Bukuroshja e fjetur” e Peter Wright, “Kopelia”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Onegini”, “Ashtu siç ju pëlqen”, “Borëbardha”, “Arrëthyesi”, “Trimajëshi” i Leonide Massine, “Ballo e kadetëve” të Zanelas, “Slingerland pas de deux” të William Forsajt, etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here