Teksa qeveria dhe Shqipëria zien prej disa kohësh nga skandalet, përgjimet apo goditjet e SPAK, një tjetër personazh interesant ka dalë në dritë.
Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, pas gati 3 vitesh lirimi nga qelia, sot ka bërë një paralajmërim interesant. Ai ka postuar një video, ku shfaqet duke xhiruar, teksa ka dhënë një mesazh: “Disa histori i kam jetuar. Disa të tjera i kam dëgjuar të tregohen për mua. Do shihemi së shpejti. Ka kaq shumë për të thënë”.
Bëhet fjalë për një dokumentar, i cili do të publikohet në portalin “Zëri”. Vetë portali bën të ditur se përmes personazheve, kujtimeve dhe dëshmive të atyre që kanë qenë aty, dokumentari do të rindërtojë momentet reale dhe më pak të njohura për publikun.
Ky prodhim do të sjellë një rrëfim të gjerë mbi një prej periudhave më të diskutuara të viteve të fundit në Shqipëri, përmes dëshmisë së vetë Tahirit, por edhe të personave që kanë qenë pjesë e ngjarjeve dhe e kanë jetuar nga afër atë kohë.
Me standard të lartë produksioni dhe një qasje të ndërtuar mbi rrëfime personale, dëshmi dhe materiale autentike, projekti synon të sjellë jo vetëm versionin e Saimir Tahirit, por edhe këndvështrime të tjera mbi ngjarjet që kanë shoqëruar historinë e tij publike dhe politike.
Rrëfimi i Tahirit vjen në një kohë aspak të qetë për qeverinë dhe kryeministrin. Nga njëra anë kemi Arben Ahmetajn që po flet dhe po jep dëshmi të forta. Nga krahu tjetër thuhet se është gati dhe Mirel Mërtiri i inceneratorëve. Duket se tani në skenë del edhe Tahiri, ministri i cili ishte ‘kurbani’ i parë i Bablokut. Mesazhi i fundit publik i Tahirit ka qenë në qershorin e 2023, kohë kur dhe doli nga qelia. Por ish-ministri ka vendosur të tregojë tani historinë e tij.










































