Ditën e djeshme u zhvilluan duelet e fundit të javës së pestë të Kategorisë Superiore, ku përplasja e skuadrave të mëdha si Elbasani dhe Tirana nuk prodhuan fitues, e nga një pikë që morën nuk u vlen shumë në objektivat që kanë në renditje. Kryendeshja tjetër e javës ishte dhe ajo mes Egnatias, kampione në fuqi, e cila mundi Partizanin 2-1 dhe rimerr vendin e dytë në renditje. Kurse “demat e kuq” mbeten pas në klasifikim.
Tirana dhe Elbasani barazojnë pa paqe
Kështu, Tirana dhe Elbasani kanë ndarë nga një pikë në javën e pestë të Superiores, pas një ndeshjeje me katër gola në “Selman Stërmasi”. Përballja përfundoi 2-2, me Redon Xhixhën që ishte protagonist absolut për bardheblutë, duke shënuar të dy golat e skuadrës së tij. Ndeshja u zhvillua pa praninë e tifozëve, pasi Tirana nuk arriti të konvertonte në kohë me gjobë pjesën e mbetur të dënimit. Miqtë e nisën më mirë takimin dhe gjetën golin e parë në minutën e 23-të. Nikaj depërtoi në zonë dhe pasoi në qendër, ndërsa Ndong, në përpjekje për të larguar topin, e devijoi atë në portën e tij.
Tirana reagoi shpejt dhe vetëm shtatë minuta më vonë erdhi barazimi. Kish harkoi nga e djathta dhe Redon Xhixha, i vetëm në zonë, goditi me kokë duke mposhtur Aleksovskin për 1-1. Elbasani nuk u tremb dhe në minutën e 37-të riktheu avantazhin. Mazari shmangu pozicionin jashtë loje, kaloi edhe Bekajn dhe nga e majta dërgoi topin në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 2-1 të Elbasanit. Tirana e nisi pjesën e dytë në kërkim të golit dhe në minutën e 54-t gjeti atë që kërkonte.
Një aksion i bukur në krahun e djathtë përfundoi me pasimin e Ilievskit për Xhixhën, i cili nuk gaboi përballë portës dhe shënoi golin e dytë personal, duke vendosur rezultatin në 2-2. Pas barazimit, bardheblutë patën disa mundësi të mira për të përmbysur ndeshjen. Rasti më i madh për Tiranën erdhi në minutën e 78-të. Xhixha ishte shumë pranë tripletës, teksa goditja e tij nga kufijtë e zonës u ndal nga shtylla. Edhe Elbasani pati mundësi në minutat e fundit, por asnjëra skuadër nuk arriti të gjente golin e fitores. Në fund, Tirana dhe Elbasani ndanë pikët me rezultatin 2-2.
Egnatia shumë e fortë për Partizanin
Partizani shkoi dje në Rrogozhinë me ambicie për të marrë pikë, nuk ia doli. Kampionët në fuqi e fituan këtë ndeshje 2-1 dhe rikthehen në vendine dytë në renditje, kurse “demat e kuq” e shohin veten në pozita të vështira dhe në situatë morale aspak të mirë para derbit me Tiranën.
Ndeshja e djeshme ishte më e mirë për rrogizhinasit. Lukili shënoi në minutën e 31-të për vendasit dhe kjo bëri që pjesa e parë të mbyllej 1-0 për Egnatian. Në pjesën e dytë loja ishte e balancuar, por goli i Albanezes në minutën e 71-të i dha përparësinë Egnatias ta administronte fitoren. Gjithsesi, Partizani e gjeti golin me anë të Murataj në minutën e 73-të, por pa mundur që të shënojë të tjerë. Për pasojë të kuqtë e humbasin këtë ndeshje dhe mbeten në vend të 7-të me 4 pikë, po aq sa Vora e vendit të 8-të, pra në zonën e ftohtë e të rrezikshme të renditjes. Kurse ERgnatia me tri pikët e djeshme rimerr vendin e dytë me 12 pikë, një më pak se kryesuesit, Teuta e Durrësit.
Java 5
Të premten
Vllaznia-Teuta 0-2
Të shtunën
Vora-Skënderbeu 1-1
Dinamo-Laçi 3-1
Të dielën
Tirana-Elbasani 2-2
Egnatia-Partizani 2-1
Renditja
Nr.Ekipi Pikë
1.Teuta 13
2.Egnatia 12
3.Dinamo 12
4.Laçi 7
5.Elbasani 6
6.Tirana 5
7.Partizani 4
8.Vora 4
9.Skënderbeu 2
10. Vllaznia 2








































