Komedia “A flasim për burrat?”, me humorin, situatat dhe marrëdhëniet mes tre shoqeve të ngushta në Teatrin Kombëtar Eksperimental

0
16

Komedia “A flasim për burrat?” vjen premierë në Tiranë, në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” te “ArTurbina”. Një komedi që do të sjellë humorin, situatat, marrëdhëniet mes tre shoqeve të ngushta, të cilat kanë shumë për të thënë. “A flasim për burrat?” do të vijë për publikun e Tiranës në mbrëmjet e datave 26, 27 dhe 28 nëntor në ora 19:00. Me regji nga Andeta Radi, në role janë aktoret e njohura Rozana Radi, Belliu Blerta dhe Lola Meta. Komedia vjen në skenën e Tiranës pas një suksesi më parë në skenat e Korçës, Elbasanit dhe Durrësit, por nuk ka munguar dhe në Gjakovë në festival të teatrit. Aktorja Blerta Belliu shprehet se në këtë vepër teatrore edhe publiku ka qenë i përfshirë brenda saj. “E veçanta që nga teksti, jo vetëm nga mënyra e të shkruarit, por dhe nga ana e konceptit regjisorial, sepse është përfshirë jo vetëm në lojën e aktorëve me njëra- tjetrën, por dhe publikut është bërë pjesë. Publiku ka qenë i përfshirë brenda dhe kjo ka shkaktuar humor dhe të qeshura”, tregon aktorja Belliu në një reagim të saj. Belliu tregon se bashkëpunimi nisi si një ide e tre aktoreve bashkë për të bërë një shfaqje vetëm me femra, dhe për të marrë një tekst si teksti i Sara Bogatit, i cili është vënë disa herë në skena në mënyra të ndryshme. “Dhe lindi ideja që dhe ajo që do të vinte pjesën teatrore në skenë të ishte femër, pra të bëheshin 4 femra bashkë. Pra tre ne aktoret bashkë me Andetën. Teksti është përkthyer dhe përshtatur nga Rozana Radi”, shprehet Belliu. Komedia vjen për disa net në Tiranë, ku kostumet janë nga Roze b R. Radi, koreografia Bardhi Pojani, kitarë Panajot Qorri, në role episodike Valentino Hamati.

 E veçanta e shfaqjes

Publiku në Tiranë për tre mbrëmje do të ndjekë një komedi që do të sjellë humorin, por aktorja Blerta Belliu thotë se ajo që e bën të veçantë është sepse ato që femrat flasin në kafe, janë ato gjëra që të gjitha i flasin mirëpo nuk kanë kurrë guxim tua thonë meshkujve. “E dyta, ato që kanë në miqësinë që kanë ndërtuar me njëra -tjetrën jo të gjitha ua thonë shoqeve. Diçka mendojnë ndryshe dhe shprehen ndryshe në marrëdhënien tyre”, thotë ajo. Ngjarjet në vepër janë në një park, ku shoqet takohen çdo të hënë, por aktorja Blerta Belliu shprehet se në komedi ato takohen në një pishinë, në bar dhe në park, dhe më pastaj dalin nga vepra dhe futen tek publiku. Belliu tregon se komedia përcjell dhe mesazhe te publiku. Sipas aktores, në mesazh rëndësi ka përmbajtja. “Mesazhi i shfaqjes është që forma gjithmonë të gënjen. Asgjë nuk duhet parë në aparencë. Ajo që ka rëndësi është përmbajtja dhe jo forma. Femrat ngaqë shikojnë vetëm formën tek mashkulli, anën e jashtme të tij gjithmonë ndeshen me probleme. Dhe kurrë nuk shikojnë përmbajtjen, ndaj një lidhje nuk është jetëgjatë dhe ato nuk gjejnë mashkullin ideal. Por janë aq pasionante në një dashuri sa edhe parfumi i tij i tërheq dhe bën që të dashurohen. Por duke hyrë thellë një mashkulli i gjen të metat”, thotë aktorja Blerta Belliu. Sipas aktores deri më tani në skenat ku është shfaqur komedia sallat kanë qenë plot me publik.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj