Zhvlerësimi rekord i lirës tremb turqit: Po fundosemi!

0
195

Lira turke vijon të zhvlerësohet me ritme rekord ndaj dollarit amerikan. Vetëm të martën, monedha turke ra me 15 për qind, duke rikthyer mes qytetarëve panikun e një krize zhvlerësuese të ngjashme me atë të vitit 2003.

Prej disa javësh lira ka shfaqur paqëndrueshmëri ndaj monedhave të huaja, por rënia e së martës ishte rekord. Luhatja ka rritur çmimet dhe ka shkaktuar stres te qytetarët, duke i detyruar që të rishikojnë tashmë edhe shpenzimet javore për ushqime.

“Nuk ka pasur një katastrofë të tillë në historinë e Republikës”, tha Kemal Kilicdaroglu, kreu i Partisë Popullore Republikane në opozitë, duke fajësuar për rënien e lirë të monedhës presidentin Tajip Erdogan, i cili udhëheq vendin që nga viti 2003.

“Në këtë pikë, ai është një problem themelor i sigurisë kombëtare për Republikën e Turqisë”, tha Kilicdaroglu.

Erdogan i ka bërë presion bankës qendrore për të ulur normat e interesit në një lëvizje që ai thotë se do të nxisë eksportet, investimet dhe vendet e punës, por që kritikët thonë se do të nxisë më tej inflacionin dyshifror dhe do të gërryejë lirën, duke tkurrur të ardhurat e qytetarëve.

Blerësit në një qendër tregtare të Ankarasë thanë për Reuters se nuk mund t’i hiqnin sytë nga kursi i këmbimit të lirës, që ra deri në 13.45 për dollar të martën. Një vit më parë ishte 8 për dollar, muajin e kaluar arriti në 9 dhe javën e kaluar arriti në 10.

Ish-kryeministri Ahmet Davutoglu, një anëtar themelues i Partisë AK në pushtet të Erdoganit, përpara se të shkëputej për të krijuar partinë e tij, i përshkroi masat ekonomike të presidentit si “tradhti dhe jo injorancë”.

Kilicdaroglu, Davutoglu dhe disa liderë të tjerë të opozitës kanë njoftuar takime urgjente për të diskutuar për monedhën pas rrëzimit të së martës, rënia e dytë më e madhe e lirës ndonjëherë.

Turqit reaguan në mediat sociale për të shprehur shqetësimin. Temat kryesore më trend në Twitter dominoheshin nga hashtaget në ekonomi, duke përfshirë fjalët kyç “Ne po fundosemi”, “Dorëheqje qeverisë” dhe “Nuk ia dalim dot”.

Në qytetin juglindor të Dijarbakirit, pronarët e dyqaneve dogjën atë që dukej si dollarë fals në rrugë në një gjest simbolik proteste, duke thënë: “Nuk mund të flemë të qetë. Nuk dimë gjë për të ardhmen tonë”.

Disa qytetarë që folën për Reuters thanë se sapo merrnin rrogat apo pensionet i konvertonin në valutë. “Kam kërkuar një paradhënie në pagën time mujore vetëm për ta kthyer atë në dollarë, në mënyrë që të ruaj njëfarë kuptimi të vlerës në fitimet e mia”, tha Emirhan Metin, 28 vjeç, një avokat në Stamboll. “Është pothuajse e pamundur të përqendrohesh apo të flasësh për ndonjë gjë tjetër në këto ditë”, vijoi ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here