Zbardhet skema e gjobëvënies që ndiqej nga një i ri i arrestuar dy ditë më parë nga policia. 34-vjeçari ra në prangat e policisë pasi hiqej si i dërguar i bosëve të krimit dhe përmes shantazhit, biznesmenëve dhe individëve të ndryshëm u merrte para. Në periudha të ndryshme kohore ai u ka bërë presion dy personave duke u kërkuar shuma që fillonin nga 100 mijë euro, por më pas këtë vlerë e ulte deri në 5 mijë euro. Këta persona, 34-vjeçari i njihte nëpërmjet miqve të tij dhe pasi u merrte kontaktin, u dërgonte SMS në Whatsapp me një numër anglez. Denoncimi në polici është bërë nga dy persona të ndryshëm që M. N. u kishte dërguar SMS. Të martën ishte policia, e cila përmes një njoftimi për mediat lajmëroi arrestimin e 34-vjeçarit. “Sektori i Hetimit të Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune hetimore disajavore, zhvilloi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Pindesing”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.N., 34 vjeç, banues me qira në Tiranë. Ky shtetas, në kohë dhe periudha të ndryshme kohore, ka kanosur për dhënie pasurie shtetas të ndryshëm, konkretisht: 1. Më datë 01.09.2021, ky shtetas ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, shtetasin V.K.; 2. Më datë 16.09.2021, ky shtetas ka shtrënguar me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, shtetasin J.B. Vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njoftoi policia.
4 të arrestuar në Elbasan
Ditën e djeshme Policia e Elbasanit ka vënë në pranga 4 persona për vepra të ndryshme penale. Sipas policisë, u arrestua B. D., 31 vjeç, banues në Librazhd, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon në të cilin kishte të hapur faqe interneti për baste sportive. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”, shtetasin: F. Ç., 23 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Dyli Haxhire”, Elbasan, është konfliktuar për motive të dobëta dhe më pas ka goditur për shkak të detyrës, rojën e një dyqani, shtetasin R. K. Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kapën dhe ndaluan për veprën penale “Vjedhja”, shtetasin: B. E., 15 vjeç, banues në Elbasan, pasi në lagjen “Syrja Dylgjeri”, Elbasan, dyshohet se ka vjedhur një ciklomotor. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin: K. D., 25 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh, Librazhd, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar motoçikletën pa leje drejtimi. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.








































