Bandat shqiptare vijojnë të cilësohen si ndër më të rrezikshmet. Pak ditë më parë u publikua një raport i Europol që skanonte kriminelët shqiptarë, por në të njëjtën linjë me të është dhe Antimafia Italiane. Sipas një raporti të publikuar së fundmi, theksohet se grupet shqiptare janë ndër më të organizuarat dhe më të rrezikshmet në shtetin italian. Sipas raportit, aftësia e tyre në projektim aktivitetit në nivel transkombëtar e disponueshmëria e lëndëve narkotike me çmime konkurruese, ka çuar në shfaqjen e marrëdhënieve të qëndrueshme mes kriminalitetit shqiptar dhe organizatave mafioze italiane. Sipas Antimafias, këto marrëdhënie lehtësohen nga mungesa e konfliktit për zotërim territori, pasi shqiptarët merren vetëm me furnizimin e drogës që më pas menaxhohet për shitje në territor nga grupet autoktone italiane. Lidhur me trafikun e drogës theksohet se grupet italiane merren me çështjet administrative si duke vënë në dispozicion gomone, skafe e pika referimi për zbarkim, ndërsa grupet kriminale shqiptare merren me furnizimin me drogë, menaxhimin e tregjeve të shitjes e transportin e saj nga jugu në veri të Italisë. Antimafia shprehet se vazhdimi i emergjencës shëndetësore të Covid-19 dhe gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2020, ka thelluar impaktin negativ në sistemin social e ekonomik të Italisë, shtyrë dhe nga masat strikte e të nevojshme për frenimin e përhapjes së pandemisë. “Vështirësitë financiare të shkaktuara nga emergjenca pandemike mund të shfrytëzohen nga organizatat kriminale për t’u infiltruar në sistemin e sipërmarrjes pasi kanë burime financiare të menjëhershme e të paligjshme, “për të ndihmuar” privatët e sipërmarrësit në vështirësi me qëllimin final të gllabërimit të kompanive. Një strategji e tillë mafioze po përdoret dhe në sistemin e tenderave publike e riciklimit të parave”, thekson raporti.
Raporti i EUROPOL
Pak ditë më parë u publikua dhe një raport nga EUROPOL. Sipas raportit, bandat shqipfolëse dhe ato të Ballkanit Perëndimor janë bërë veçanërisht të spikatura në blerjen e sasive të mëdha të kokainës në Amerikën Latine, thuhet se raportin e fundit të Europol, bashkë me Zyrën e Kombeve të Bashkuara për Krim dhe Drogë. Raporti nënvizon se grupet shqiptare operojnë në mënyrë autonome për porositjen e drogës dhe kanë lidhje të drejtpërdrejta me prodhuesit. “Disa nga këto grupe, veçanërisht rrjetet kriminale që flasin shqip dhe ato të tjerat të Ballkanit Perëndimor, kanë spikatur në blerjen e sasive të mëdha të kokainës direkt në burim-duke ndërprerë lidhjet me ndërmjetësin. Një histori bashkëpunimi mund të jetë gjithashtu e rëndësishme për depërtimin në tregjet europiane nga këto grupe. Ka indikacione për një ndërhyrje të kohëve të fundit të disa grupeve meksikane që veprojnë drejtpërdrejt me ato në Kolumbi. Historia e tyre e gjatë e bashkëpunimit me trafikantët kolumbianë, njohuria për kokainë dhe gjuha e njëjtë u ka dhënë atyre avantazhe”, thuhet në raport. Sipas Europol, bandat kriminale përdorin qytetet dhe portet si Roterdam, Hamburg e Anvers (Belgjikë),Valencia dhe Algeciras (Spanjë) për pritjen e sasive të kokainës. Nga viti 2018 deri në 2020 janë arrestuar 266 persona me kombësi shqiptare për trafik të kokainës. Më pas, renditen shtetasit brazilianë, kolumbianë apo nigerianë.








































