Pas SHBA edhe BE gati të izolojë Sali Berishën/ Eurodeputetët kërkojnë që Brukseli të mbështesë sanksionet e amerikanëve

0
208

Telashet për ish-kryeministrin Sali Berisha rrezikojnë të shtohen. Shpallja “non ngrata” nga SHBA mund të mos jetë veprimi i vetëm kundër tij, pasi sinjalet janë se edhe Bashkimi Europian mund të bëjë të njëjtën gjë. Dje në Komitetin e Jashtëm të Parlamentit Europian kanë nisur diskutimet mbi raportin vjetor të eurodeputetit, Lucas Mandl mbi bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor. Eurodeputetja Viola Von Cramon ka dalë me një propozim, kur kërkon që BE të ndjekë të njëjtën rrugë si SHBA lidhur me shpalljen “non grata” të peronave të korruptuar apo që cenojnë stabilitetin e Ballkanit. “(PE) mirëpret angazhimin e SHBA në Ballkanin Perëndimor, përfshirë qëndrimin e tyre në luftën kundër korrupsionit. Vlerëson në këtë kontekst urdhrin ekzekutiv të SHBA për të sanksionuar personat që kontribuojnë në destabilizimin e rajonit, si edhe aksionet që shënjestrojnë individë dhe ente për akte domethënëse korruptive në Bullgari dhe sanksionet ndaj ish-Kryeministrit Berisha në Shqipëri. Komisioni bën thirrje që BE të ketë një qasje plotësisht të ngjashme me këtë”, thuhet në propozimin e saj. Nëse ai merret parasysh, nuk është çudi që emrat që SHBA ka shpallur “non grata” të izolohen dhe nga Brukseli, duke mos i lejuar që të lëvizin në shtetet e unionit, si dhe mund të ketë masa për bllokimin e pasurive dhe aseteve.

Lëvizjet e BE

Pak kohë më parë gazeta publikoi dhe një kërkesë të eurodeputetes franceze, Dominique Bilde, e cila i ka dërguar një letër Komisionit Europian lidhur po me personat “non grata”. Ajo pyet KE nëse dhe ata do e kërkojnë pastrimin e politikës nga të inkriminuarit dhe ta vendosin si kusht për negociatat. “Në vizitën e saj në Shqipëri më 20 shkurt 2021, Komisionerja Ylva Johansson, në një konferencë për shtyp kërkoi nga autoritetet shqiptare që të paraqesin kandidatë me integritet të lartë në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Më 24 mars 2021, ambasadorja amerikane në Shqipëri shprehu shqetësimin për kandidaturën e zotit Tom Doshi, kreu i Partisë Social-Demokrate. Sipas medieve shqiptare, z. Doshi iu ndalua hyrja në SHBA nga Departamenti i Shtetit për shkak të përfshirjes së tij në “korrupsion të rëndësishëm”. Sipas një artikulli botuar më 18 mars 2021, KQZ miratoi pjesëmarrjen e partisë së tij në zgjedhjet e 25 prillit. Në sfondin e dialogut për hapjen e negociatave me Shqipërinë, çfarë do të bëjë Komisioni për të inkurajuar vendin të pastrojë politikën e tij”, thuhet në letër. Pra duket qartë se shumë eurodeputetë kërkojnë që BE të ndjekë shembullin amerikan.

Lufta ndaj korrupsionit

Eurodeputeti i së djathtës, David Lega, ngre si shqetësim korrupsionin në Shqipëri. Sipas tij, pas trafikut të drogës, korrupsioni është krimi që lulëzon më tepër. “Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten një shqetësim serioz në Ballkanin Perëndimor; PE thekson si shembull, që në Shqipëri, korrupsioni është burimi i dytë më i madh i të ardhurave financiare të paligjshme (IFF), pas trafikut të narkotikëve. Banka Botërore vlerëson se 36.1 për qind e kompanive në Shqipëri gjatë 2019-s u përballën me të paktën një kërkesë për ryshfet”, ka deklaruar ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here