Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, ka njoftuar sot dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares së Partisë Socialiste në degën e Vlorës, post të cilin e mbante prej 1 viti e 3 muajsh.
Përmes një mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Ismaili sqaroi se ky vendim vjen në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të strukturave të Partisë Socialiste, me synim hapjen e rrugës për procesin demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj në Vlorë.
Ajo e cilësoi drejtimin e kësaj dege si një privilegj dhe përgjegjësi të madhe të besuar nga kryetari i partisë, Edi Rama, ndërsa nënvizoi se është përpjekur ta ushtrojë këtë detyrë me përkushtim, korrektësi dhe integritet.
Në përmbyllje të deklaratës së saj, ministrja Ismaili shprehu mirënjohjen ndaj anëtarëve, drejtuesve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë socialistë për mbështetjen e dhënë përgjatë kësaj periudhe, duke e konsideruar këtë përvojë si një kapitull mjaft të rëndësishëm në angazhimin e saj politik.
Postimi i plotë:
Ka qenë privilegj dhe përgjegjësi që, për 1 vit e 3 muaj, të drejtoja si bashkëkryetare Partinë Socialiste të Vlorës, falë besimit dhe mundësisë së dhënë nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Një detyrë që jam përpjekur ta ushtroj me përkushtim, korrektësi dhe integritet, e vetëdijshme për përgjegjësinë që mbart drejtimi dhe përfaqësimi i një strukture kaq të rëndësishme.
Sot, në kuadër të fazës së fundit të riorganizimit të Partisë Socialiste, jap dorëheqjen nga detyra e bashkëkryetares, duke i hapur rrugë procesit demokratik të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj të Partisë Socialiste të Vlorës.
Faleminderit çdo socialisti, anëtari, drejtuesi dhe bashkëpunëtori për mbështetjen, besimin dhe punën e përbashkët gjatë kësaj periudhe, duke më nxitur të jap më të mirën dhe të kontribuoj për një model drejtimi të bazuar te puna, përgjegjësia dhe respekti për njerëzit.
Mirënjohëse për këtë kapitull dhe për gjithçka ndërtuam së bashku.







































