Deputetja e Partisë Demokratike dhe kryetarja e Komisionit për Çështjet Europiane, Jorida Tabaku, ka reaguar ndaj nismës së fundit të qeverisë për transparencën e çmimeve, duke e konsideruar atë të pamjaftueshme për të adresuar problemet e ekonomisë dhe kostot e larta me të cilat përballen qytetarët.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku shprehet se qytetarët nuk presin nga ministrat t’u tregojnë se në cilat tregje mund të gjejnë më lirë fruta dhe perime, por kërkojnë politika që ndikojnë konkretisht në uljen e çmimeve. “Tashmë është fakt që specat, domatet dhe të gjitha zarzavatet e frutat shiten më shtrenjtë në Shqipëri sesa në vendet e rajonit. Dhe çfarë bën qeveria?”, shprehet Tabaku.
Sipas deputetes demokrate, qeveria duhet të përqendrohet në disa masa kryesore për të lehtësuar kostot për qytetarët. Ajo kërkon më shumë mbështetje për bujqësinë dhe prodhimin vendas, luftë ndaj monopoleve dhe oligopoleve, ulje të taksave për qytetarët dhe bizneset, si dhe shtim të subvencioneve për fermerët. Tabaku argumenton se një pjesë e konsiderueshme e produkteve bujqësore që konsumohen në vend sigurohen përmes importeve, ndërkohë që, sipas saj, bujqësia shqiptare po dobësohet për shkak të mungesës së mbështetjes.
Ajo kërkon gjithashtu lehtësimin e barrës fiskale për këtë sektor, përfshirë kostot që lidhen me karburantin dhe që, sipas saj, reflektohen drejtpërdrejt në çmimin që paguan konsumatori. “Qytetarët nuk kanë nevojë për ministrat që t’u tregojnë se në cilin treg duhet të shkojnë. Sot kanë nevojë për politika konkrete”, thekson ajo. Deputetja e PD-së ka reaguar edhe ndaj thirrjeve të qeverisë për më shumë transparencë, duke thënë se kjo duhet të zbatohet fillimisht te kontratat dhe vendimmarrjet publike.
“Nëse duan të bëjnë transparencë, le ta bëjnë me kontratat koncesionare, me PPP-të, me ligjet me porosi dhe me taksat e falura. Kjo është transparenca që kërkojnë shqiptarët”, shprehet Tabaku. Sipas Tabakut, frenimi i rritjes së çmimeve kërkon politika ekonomike konkrete dhe jo vetëm monitorim të tregjeve. Ajo rendit uljen e taksave, luftën ndaj monopoleve, rritjen e subvencioneve për sektorin bujqësor dhe mbështetjen e produkteve “Made in Albania” si masa që, sipas saj, duhet të ndërmerren nga qeveria.







































