Super Milan e SuperIbra thyejnë Lacion dhe vendosin diktat në Serie A italiane

0
19

Milani fitoi 2-0, ku ra në sy kthimi me gol i Ibrahimoviçit pas një kohe të gjatë dëmtimi. Ndërkohë, Interi ngeci dje, duke barazuar 2-2 me Sampdorian

Ditën e djeshme u luajtën ndeshjet e javës së tretë të kampionatit Italian, serie A, ku spikati në veçanti fitorja e Milanit në duelin e madh me Lacion, me rezultatin 2-0, një fitore që u jep kuqezinjve një trepikësh me mjaft vlerë morale, por edhe si pozicion kryesimi në renditje. Kuqezinjtë, me atë që prezantuan në fushë e merituan plotësisht suksesin por ajo që bëri bujë më shumë se fitorja dhe rezultati ishte kthimi i sulmuesit Zlatan Ibrahimoviç me gol, diçka mjaft domethënëse për vazhdimësinë e lojtarit dhe të vetë skuadrës. Në ndeshjen mes Milanit dhe Lacios, kapiteni i Kombëtares, Elseid Hysaj ishte titullar në fushë e madhe u ndëshkua edhe me karton të verdhë, kurse Thomas Strakosha qëndroi gjithë kohës në stol, pasi titullar ishte Pepe Reina. Rafael Leao shënoi në minutën e 45-të, duke i dhënë Milanit një avantazh të dukshëm ende pa shkuar në dhomat e zhveshjes për pushimin e takimit. Në pjesën e dytë Lacio e rriti ndjeshëm volumin e lojës, duke tentuar për të barazuar nëpërmjet goditjeve të forta nga brenda dhe jashtë zonës. Por Milani ishte i vendosur të mos lëshonte pe dhe ia doli të mbrohet mjaft mirë. Autori i golit, Leao, i lëshoi vendin në minutën e 60-të shtatlartit suedez, Zlatan Ibrahimoviç dhe 7 minuta më vonë, pas një asisti të Rebiç, Ibra dyfishoi rezultatin. Lacio bëhet nervoze dhe këtë e tregojnë kartonët e shumtë të verdhë e në fund edhe trajneri Mauricio sari që doli me karton të kuq. Një mbyllje aspak e mirë për Lacion, ndërkohë që Milani mori tri pikë të vyera ndaj një rivali shumë të fortë. Pas tre ndeshjesh të luajtura, Milani mban kreun e renditjes me 9 pikë të plota, po aq sa Napoli i vendit të dytë. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi të Interit, nuk shkuan më shumë se barazimi 2-2 ndaj Sampdorias. Kjo ndeshje u luajt në transfertë, në kuadër të javës së tretë të Serisë A italiane. Klubi kampion i Italisë dy herë ishte në epërsi prej një goli, por në fund u desh të kënaqej me një pikë. Federico Dimarco (18’) dhe Lautaro Martinez (44’) shënuan golat për Interin, ndërsa për Sampdorian realizuan Maja Joshida (33’) dhe Tomaso Augello (47’). Për Interin janë pikët e para të lëshuara këtë stinor. Pas tri xhirove ka shtatë pikë, ndërsa kryeson Napoli me nëntë pikë. Sampdoria në anën tjetër i ka dy pikë nga tri ndeshje. Nga ndeshjet e djeshme të Serisë A, ra në sy edhe fitorja e Xhenoas ndaj Kaljarit me shifrat 3-2, fitorja e Udinezes 1-0 ndaj Specias, si dhe fitorja 4-0 e Torinos ndaj Salernitanës

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj