“Këngëtarja tullace”/ Gjergj Prevazi: Veprat e autorëve të mëdhenj kurrë nuk humbasin aktualitetin e tyre

0
189

“Këngëtarja tullace” është një vepër e Eugene Ionesco e shkruar në vitin 1950, që erdhi për publikun në formatin danc teatër. Për koreografin e njohur Gjergj Prevazi, në veprat që janë shkruar nga autorë të mëdhenj botërorë gjen dhe mesazhe universale. Reagimi i regjisorit dhe koreografit Prevazi vjen pas shfaqjes që erdhi dy net me radhë, në skenën e amfiteatrit të Tiranës për publikun. Sipas Prevazit mesazhet që ajo përcjell përkojnë dhe me shoqërinë tonë. “Veprat e autorëve të mëdhenj kurrë nuk humbasin aktualitetin e tyre. Në thellësi të tyre përherë gjen mesazhe universale, që në këtë rast përkojnë me shoqërinë aktuale shqiptare, me situatat, fenomenet dhe dukuri që i ndeshim çdo ditë”, shprehet Prevazi. “Këngëtarja tullace” erdhi për publikun në kuadër të festivalit “Adriatik”, duke u bërë pjesë e aktiviteteve që po zhvillohen nga teatri Metropol. Vepra erdhi në skenën e amfiteatrit të Tiranës më 8 dhe 9 shtator me regji e koreografi nga Gjergj Prevazi dhe një kast i zgjedhur artistësh, si bashkëpunim i teatrit Metropol dhe “Albania Dance Theatre” në kuadër të projektit AIDA. Koreografi Gjergj Prevazi shprehet se tek vepra “Këngëtarja tullace” edhe pse ngjarjet janë vendosur nga autori në një mjedis anglez duket sikur janë shkruar për ne. “Mendoj se shfaqja risjell në vëmendje aspekte absurde të përditshmërisë sonë. Sjellje, qasje, veprime, raporte njerëzore që nuk bëjnë dallim nga karakteret dhe situatat absurde të Ionescos. Pavarësisht se vetë Ionesco i ka vendosur ngjarjet në një ambient anglez, ato duken sikur janë shkruar për ne, për mënyrën se si ne i qasemi marrëdhënieve në shoqëri e familje, shpeshherë të pakuptimta në formë e përmbajtje”, tregon Prevazi.

Personazhet dhe ngjarjet

 “Këngëtarja Tullace”, konsiderohet ndër kryeveprat e teatrit absurd, por si shumë shfaqje të tjera të teatrit absurd, tema themelore e saj nuk është menjëherë e dukshme. Në vepër çifti Smith interpretohet nga Rosella Pellicciotti dhe Elton Cefa, çifti Martin: Fjorald Doci dhe Semela Skenderasi dhe zjarrfikësi Ermir Jonka. Muzika nga Endri Sina dhe kostumografia Frenci Gjerasi e Afërdita Satka. Shfaqje flet për familjen Smith, një çift tradicional, të cilët kanë ftuar për vizitë çiftin Martins. Më vonë iu bashkohet dhe shefi lokal i zjarrfikësve. Të gjithë hyjnë në skenë nëpërmjet një rrote të madhe, simbol kozmik i kalimit nga porta e kësaj bote, me funksion shpeshherë aktiv e përqendrues  gjatë këqyrjes dhe “hetimit” serioz të dy çifteve. Të dy çiftet përfshihen në dialogje-shaka të pakuptimta, duke treguar histori dhe thurur “poezi” absurde. Çifti Smith duket se ka ezauruar gjithçka në marrëdhëniet e tyre, duke u shfaqur në kundërshti të përhershme. Duke u bazuar në stilistikën e danc teatrit, shfaqja gërsheton dancin, muzikën dhe fjalën, duke shfrytëzuar në disa momente edhe referenca nga skena danci, të njohura botërisht, por të rikontekstualizuara në rrethanat e “Këngëtares tullace”. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here