Detajet, ja si kompanitë piramidale shantazhojnë qytetarët përmes “përmbaruesve”, keqpërdorin të dhënat dhe shkelin hapur ligjin

0
27

Zbardhen të tjera detaje për skemat me të cilat mikrofinancat vjelin qytetarët. Pak ditë më parë gazeta tregoi se si institucione të ndryshme në vend përdorin përmbaruesit privatë për t’u bërë shantazh qytetarëve mbi detyrimet e papaguara që ata kishin. Por, në të dhënat e publikuara nga Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale vihet re se rekord ankesash regjistrohen çdo vit për institucionet jo banka. Konkretisht, vetëm në vitin që lamë pas nga 20 ankesa të dorëzuara pranë Komisionerit, pjesa më e madhe e tyre janë për mikrofinancat. Një nga institucionet që ka marrë më shumë ankesa në tre vitet e fundit renditet “IuteCredit”. Sipas të dhënave të Komisionerit, për këtë kompani kanë ardhur mbi 5 ankesa vetëm në 2018. Asaj kohe iu dha një paralajmërim dhe iu vunë si detyrë një sërë rekomandimesh. Por me sa duket mikrofinancat, nuk zbatojnë as rekomandimet e institucioneve kontrolluese. Në raport thuhet se, një qytetare akuzon se kjo kompani ka shpërndarë të dhënat e saj personale tek një përmbarues privat. Ky i fundit në mënyrë anonime i bënte presion për kontratën që ajo ka me Albtelekom. Sipas dokumentit të publikuar nga Komisioneri i të Dhënave bëhet me dije se, kjo kompani ka lidhur marrëveshje me një përmbarues privat për të mbledhur huatë e pashlyera që kishin klientët e saj. Por, nga kontrollet e kryera është evidentuar se, “IuteCredit” ka lidhur këtë marrëveshje pa i përcaktuar përmbaruesit kushtet e tij. Pra në asnjë moment nuk është parashikuar ruajta e të dhënave për klientët, nuk është përcaktuar as masa e detyrimeve që duheshin mbledhur. Përkundrazi, përmbaruesi është lënë i lirë edhe të shantazhojë qytetarët duke përdorur të dhënat e tyre personale të siguruara nga kompania që e ka kontraktuar.

Rritet numri i ankimuesve

Referuar të dhënave të Komisionerit, vetëm në vitet 2018-2020 janë regjistruar ankesa për 12 kompani mikrofinancash dhe për secilën prej tyre ankesat kanë qenë të shumta. Ndërkohë në 2020 ankesat janë për “Credo.al”, “Iute Credit”, “Micro Credit Risk dhe Micro Credit Albania”. Për të katër këto kompani ankesa qëndron e njëjta. Sipas të dhënave përveç shantazheve me përmbarues privat, mikrofinancat iu dërgojnë dhe vetë letra debitorëve për kreditë e papaguara. Qytetarët raportojnë se në pak ditë që kalon afati i këstit, punonjësit e mikrofinancave i bezdisin ata me telefonata të shpeshta duke iu bërë presion. Vetë këto kompani kanë të përcaktuar në faqen e tyre të informimit, se kur një klient vonon pagesat më shumë se dy muaj, atij i dërgohen 72 telefonata dhe mbi 14 letra për paralajmërim dhe secila prej tyre ka një kosto që duhet ta paguajë klienti së bashku me kamatëvonesën. Duke qenë se këto lloj presionesh me “përmbarues” privatë janë shtuar shumë, pak ditë më parë Dhoma e Përmbaruesve ngriti alarmin mbi këtë çështje. Përmes një njoftimi publik ata iu kërkuan qytetarëve që të mos bien pre e këtyre shantazheve nga përmbarues që shpesh herë paraqiten pa identitet dhe me dokumente në shkelje të ligjit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj