Në 30 dhe 31 korrik, në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve, komedia “Duke Edukuar Ritën” e Teatrit Shëtitës Çajupi

0
130

Komedia “Duke edukuar Ritën” vjen premierë për publikun në ditët e fundit të muajit korrik. Në datat 30 dhe 31 korrik Teatri Shëtitës “Çajupi” fton të freskoheni me lojën magjike të Mehmet Xhelilit dhe Laura Nezhës, në komedinë e shkëlqyer “Duke edukuar Ritën” në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Në dy net me radhë në ora 21.00, nga Teatri Shëtitës “Çajupi” spektatori do të ketë mundësinë të ndjekë komedinë e rrallë, vepër e autorit Willy Russell. Ky është rasti që me regjinë e Kiço Londos, në një hapësirë të shfrytëzuar shumë mirë të shihni Mehmet Xhelilin, pedagogun e alkolizuar të Ritës në një interpretim tepër të këndshëm. Ai vjen i zgjuar, i rrjedhshëm, që e mban veten me të madhe e që të mbyt me fjalë, por që gjendet në zbrazëtinë e shpëlarë me të cilën shfaqet në fillim e që më pas bie në dashuri të thellë me studenten e tij. Interpretimi i Laura Nezhës bëhet më i fuqishëm me zhvillimin e shfaqjes. Gjallëria e Laurës në pjesën e parë, është një prekje tepër organike. Në pjesën e dytë të  shfaqjes personazhi i Laurës bëhet më i mprehtë, më i urtë e i rrumbullakosur mirë. Drejt finales interpretimi Xhelili- Nezha bëhet gjithnjë e më shumë prekës dhe përfshirës, pa humbur asnjë nga tiparet e zgjuara e me dritë të karaktereve që çifti interpreton. Komedia “Duke edukuar Ritën” është përkthyer nga Artur Lena. Me regji nga Kiço Londo dhe në role me aktorët e njohur Mehmet Xhelili dhe Laura Nezha, as regjisorë janë Klaudia Piroli dhe Flobensa Bezati.

Vepra e suksesshme

Vepra teatrore e vlerësuar me çmim e autorit Ëilly Russell, e cila ka qenë një sukses botëror në teatër, por edhe në adaptimin e tij në film, e nominuar për çmimin “Oscar”, merr jetë në skenën e Teatrit Shëtitës në një performancë moderne nga regjisori Kiço Londo. Në materialin rreth komedisë “Duke edukuar Ritën”, thuhet se një dashuri “e papërshtatshme”, me humor dhe kthesa vjen për të tronditur botën tonë teatrale dhe për të na kujtuar se nuk është kurrë vonë dhe gjithçka është e mundur, kur ndjekim atë që mbrojnë zemrat dhe ëndrrat tona! “Një punë thellësisht shoqërore dhe politike, që adreson me hollësi tekstet e gabuara dhe shqetësimet për shoqërinë dhe arsimin që karakterizojnë epokën që ne vazhdojmë të jetojmë edhe sot: padrejtësia e klasës, pamjaftueshmëria e sistemit arsimor që nuk promovon të menduarit kritik, procesin e brendshëm të domosdoshëm të vetë-përmirësimit për individin dhe të mirës së përgjithshme. Ndryshimi dhe transformimi që të gjithë duam, por pak kush e arrin atë, ndodh para syve të spektatorëve përmes ndërveprimit të dy personazheve, të cilët në fund të veprës nuk do të jenë kurrë më të njëjtët!”, thuhet për veprën teatrore, që vjen premierë për publikun. Shfaqja teatrore “Duke edukuar Ritën” me regji nga Kiço Londo vjen në vijim të atyre që ka sjellë më parë Teatri Shëtitës “Çajupi, që janë mirëpritur nga publiku në Tiranë, por dhe në qytete të tjera të vendit.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj