Java e 12-të e “Abissnet Superiore” nisi dje me dy takimet e para, ndërsa sot do të luhen tri ndeshjet e tjera. Në këtë xhiro, e cila vinte direkt pas pushimeve që patën klubet për shkak të angazhimeve të skuadrave kombëtare në Europë në kuadër të Ligës së Kombeve, pati një start befasues, pasi skuadrat që nuk llogariteshin favorite ia dolën të merrnin fitore dhe të surprizonin edhe me lojën e tyre. Këto rezultate e bënë kampionatin më interesant dhe i ngjeshën skuadrat në tabelën e renditjes.
Skënderbeu befason me fitoren ndaj Egnatias, ngjitet i treti
Egnatia nuk është më një skuadër e pathyeshme. Këtë e vërtetoi dje Skënderbeu me një fitore të bukur por njëherësh dhe me ndalesën që u bëri kryesuesve të garës. Kështu, Skënderbeu ka mbyllur me fitore 1-0 përballjen ndaj kampionëve në fuqi të Egnatias në Abissnet Superiore, duke kaluar herët në avantazh me golin e Georgios Lagonidis në minutën e 2-të dhe duke e ruajtur epërsinë deri në vërshëllimën e fundit. Një ndeshje e luftuar dhe me episode vendimtare, ku u regjistrua edhe kartoni i kuq për kapitenin Aleksi në mbyllje të pjesës së parë, por korçarët ia dolën ta çonin takimin deri në fund me portën e paprekur.
Me këtë fitore, Skënderbeu ngjitet përkohësisht në vendin e tretë me 17 pikë, po aq sa Dinamo Siti, por me një ndeshje më shumë. Nga ana tjetër, Egnatia ruan kreun e renditjes me 27 pikë, pavarësisht humbjes në Korçë. Kjo ishte një renditje provizore deri në orën 18:30 kur u luajt ndeshja e mbrëmjes mes Elbasanit dhe Dinamos.
Duhet thënë se fitorja e djeshme e Skënderbeut në Korçë përballë kampionëve në fuqi vërtetoi se kampionati i sivjetëm mund të ketë befasi deri në fërshëlimën e fundit, pasi diferencat janë fare të vogla. Nga ana tjetër, Egnatia frenohet në rrugëtimin e saj dhe ndalesa që i bëri dje Skënderbeu mund të ndihmojë skuadrat ndjekëse në kryesim t’i afrohen me pikë.
Elbasani i jep “leksione” Dinamos së Ilir Dajës
Ndërkohë që Skënderbeu ishte i pari që dhuroi befasi në xhiron e 12-të, një tjetër skuadër jo pretendente surprizoi me fitoren e saj në mbrëmje përballë Dinamos. Kështu, Elbasani ka marrë një fitore shumë të rëndësishme përballë një rivali direkt si Dinamo, duke bërë që Glen Daja të fitojë derbin ndaj Ilir Dajës, ndonëse duhet theksuar se ky i fundit ishte në tribunë pasi ishte ende i pezulluar nga FSHF. Në një ndeshje që u ndez në fund, ishin miqtë që rrezikuan të parët me Aleksovskin që bëri mrekulli në fraksionin e parë të lojës.
Por në pjesën e dytë ishin vendasit që dominuan e krijuan raste, duke shënuar tre herë, por vetëm me golin e fundit që u cilësua si i vlefshëm. Megjithatë, aq mjaftoi që Elbasani të merrte tre pikë të arta për të bërë hapa të rëndësishëm në renditjen e kampionatit, ndërsa Dinamo nuk ia doli të përfitonte për të shkurtuar diferencën me kreun. Sot do të luhen tri ndeshjet e tjera të javës së 12-të, ku spikat dueli Partizani-Vllaznia, një takim mes skuadrave që kanë zhgënjyer deri tani. Dy takimet e tjera janë Vora-Tirana dhe Teuta-Laçi. Durrsakët janë në provën e madhe të ringritjes.
Java 12
Të premten
Skënderbeu-Egnatia 1-0
Elbasani-Dinamo 1-0
Të shtunën
Teuta-Laçi 16:00
Partizani-Vllaznia 18:30
Vora-Tirana 13:30
Renditja
Nr.Skuadra Pikë
1.Egnatia 27
2.Teuta 20
3.Skënderbeu 17
4.Dinamo 17
5.Elbasani 17
6.Tirana 15
7.Vora 12
8.Vllaznia 12
9.Laçi 11
10.Partizani 10







































