Google search engine
Home Sport Duka “zbërthehet” për revistën e UEFA-s: Fitorja me Greqinë më emocionuesja ndër...

Duka “zbërthehet” për revistën e UEFA-s: Fitorja me Greqinë më emocionuesja ndër vite

0
324

Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ka dhënë një intervistë të gjatë për revistën e UEFA-s, “Direct”, ku ka shprehur qëndrimet e tij për zhvillimet në futbollin shqiptar, e në të njëjtën kohë ka zbuluar disa prej sekreteve të jetës së tij të përditshme. Nuk kishte si të mungonte në rrëfimet e tij edhe pjesa emocionale për ndeshjet më të bukura të përfaqësueses dhe ku Duka zgjodhi duelin me Greqinë më 4 shtator 2004, si dhe golin e Mërgim Mavrajt më 2015 ndaj Armenisë. “Sa i përket ekipit kombëtar, kujtimi im i preferuar është fitorja fenomenale e Shqipërisë 2-1 ndaj Greqisë menjëherë pasi ekipi grek ishte shpallur kampion i Europës duke fituar “EURO 2004”. Goli më i bukur? Në fakt, kam parë shumë gola të bukur, por ai që më ka shijuar më shumë ka qenë goli i shënuar nga mbrojtësi Mërgim Mavraj në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena” kundër Armenisë (në eliminatoret e EURO 2016). Ishte i bukur, pasi ishte shumë i rëndësishëm për rrugëtimin tonë drejt finaleve të Europianit “Francë 2016”, theksoi Duka.

Projekti “Hat Trick”, i vlefshëm për futbollin shqiptar

Ndër të tjera kreu i federatës foli dhe për projektin “Hat Trick” të UEFA-s dhe impaktin në futbollin shqiptar. “Ndryshimet e mëdha infrastrukturore të ndodhura në futbollin shqiptar në dy dekadat e fundit janë fryt i ndihmës së jashtëzakonshme të programit “HatTrick”. Falë këtij programi arritëm të ndërtojmë qendrën e parë stërvitore të ekipit kombëtar, përmirësuam gjendjen e mbi 12 stadiumeve në të gjithë Shqipërinë, arritëm të vendosim sisteme ndriçimi në shumë stadiume. Sot falë këtij programi ne kemi 3 stadiume të reja dhe në përfundim një të katërt. Projekti Grow na ka ndihmuar shumë në një ndër shtyllat e strategjisë sonë për rritjen e futbollit shqiptar. Futbolli i fëmijëve dhe ai i vajzave janë prioritetet tona të këtij 4-vje?ari. Ky projekt u shtri në 286 shkolla 9-vjeçare dhe më shumë se 20 mijë fëmijë e patën kontaktin e parë me futbollin nga Grow. Nuk mund të mos e shpreh vlerësimin tim maksimal për punën dhe impaktin direkt që kanë pasur në Shqipëri këto dy projekte të mëdha të UEFA-s”, shtoi ai.

Projektet e futbollit në bashkëpunim me UEFA-n e FIFA-n

Duke folur më tej për projektet bashkëpunuese me UEFA-n, Duka u ndal tek disa arritje serioze në infrastrukturë. “Më është dukur vetja si në ëndërr kur jam gjendur me ekipin kombëtar në Euro 2016. Në të njëjtën kohë më duket e pabesueshme kur futem në stadiumin tonë kombëtar, dhe pyes veten nëse vërtetë e kemi bërë ne këtë. Në fakt nuk është një ëndërr, por një realitet. Është fryt i politikave e strategjive të federatës sonë, i projekteve të përbashkëta e të mbështetura nga UEFA e FIFA dhe një shpërblim për angazhimin dhe profesionalizmin e administratës sonë. Në këto vite kemi ndërtuar 49 fusha futbolli, 81 fusha mini-futbolli, 59 stadiume janë rikonstruktuar dhe në 8 stadiume kemi financuar sistemet e ndriçimit. Në këto vite përfunduam ndërtimin e 3 stadiumeve të reja e po përmbyllim të katërtin. Jemi duke zbatuar një projekt shumë ambicioz për futbollin e femrave, që synon të rrisë përfshirjen e vajzave në futboll. Projekti ynë i radhës është ai për ndërtimin e 100 fushave stërvitore me bar natyral në të gjithë vendin”, përfundoi Duka.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here