Arijon Ibrahimoviç ka konfirmuar se ka pasur kontakte me Federatën e Futbollit të Kosovës, duke lënë të hapur mundësinë që në të ardhmen të veshë fanellën e Kosovës. 20-vjeçari, i cili aktualisht është pjesë e Augsburgut, ku po luan në formë huazimi nga Bajern Munihu, ka folur në një intervistë për “Spox”. Ibrahimoviç, i cili posedon edhe nënshtetësinë kosovare, ka zbuluar se kontaktet me FFK-në kanë ekzistuar tashmë, por ka theksuar se për momentin është i përqendruar te Përfaqësuesja U21 e Gjermanisë.
“Po, ka pasur tashmë kontakte me Federatën e Kosovës. E ndjek zhvillimin pozitiv të federatës dhe futbollit kosovar me shumë respekt. Pavarësisht kësaj, fokusi im aktual është te Kombëtarja U21 e Gjermanisë, për të cilën luaj me shumë kënaqësi”, ka deklaruar Ibrahimoviç. Ai ka treguar gjithashtu se lidhjet me Kosovën janë të afërta, pasi së paku një herë në vit viziton familjen e tij në vendlindjen e prindërve. “Jam të paktën një herë në vit te familja ime në Kosovë, ndonjëherë edhe më shpesh.
Kjo është shumë e rëndësishme për mua”, ka shtuar ai. I pyetur edhe për Erblin Osmanin, talentin e Bajern Munihut që së fundmi debutoi me Kosovën si futbollisti më i ri në historinë e Kombëtares, Ibrahimoviç zbuloi se e kishte uruar personalisht për këtë arritje. “E kam uruar për debutimin dhe jam i lumtur për të. Ai e ka merituar”, u shpreh futbollisti. Ndërkohë, Ibrahimoviç po kërkon të konsolidohet në futbollin gjerman.
Pas aventurave te Frozinone, Lacio dhe Heidenheim, ai iu bashkua Augsburgut në ditën e fundit të afatit kalimtar, në formë huazimi nga Bajern Munihu. Për Kosovën, deklarata e tij është një sinjal interesant, pasi bëhet fjalë për një futbollist të ri me përvojë në Bundesligë dhe Serie A, i cili mund të jetë një përforcim i rëndësishëm për të ardhmen e përfaqësueses, nëse vendos ta ndryshojë përfaqësimin ndërkombëtar.







































