OJF-të në skaner për pastrim parash/ Komisioni i Ligjeve miraton ligjin që hap rrugën për të nisur verifikimet

0
239

Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut në drejtimin e kryetarit Ulsi Manja dhe në cilësinë e komisionit përgjegjës shqyrtoi nen për nen projektligjin “Për regjistrimin e organizatave jofitimprurëse”. Projektligji është miratuar më herët parimisht dhe komisioni ka zhvilluar edhe një seancë dëgjimore me përfaqësues të shoqërisë civile. Të ftuar në mbledhjen e komisionit ishin zëvendësministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, z. Besmir Beja, drejtor i Përgjithshëm i Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë, Elvis Koçi, Drejtor i Përgjithshëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe eksperti i Këshillit të Europës, Dragan Goluboviç. Fillimisht deputetja Klotilda Bushka, në cilësinë e relatores parashtroi se projektligji është depozituar në shtator të vitit 2020 dhe në thelb të tij përcakton rregullat procedurale për mënyrën se si organizatat jo-fitimprurëse regjistrohen në regjistrat publikë dhe u është nënshtruar disa fazave të procesit të konsultimit publik. Znj. Bushka sqaroi se nga dëgjesa e zhvilluar me përfaqësues të shoqërisë civile, shoqatave të biznesit, organizatave ndërkombëtare që punojnë në Shqipëri janë marrë në konsideratë 77 sugjerime, nga të cilat 36 janë pranuar plotësisht, ndërsa për pjesën tjetër është dërguar përgjigje, pasi shumica gjenin adresim në ligj ose binin ndesh me koncepte të ndryshme në kuadër të harmonizimit të legjislacionit në Shqipëri. Relatorja theksoi më tej se projektligji përmbush dy objektiva, së pari atë për përmirësimin e kuadrit ligjor për OJF dhe së dyti për përmbushjen e rekomandimeve të raportit të Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit (MONEYVAL). Pas diskutimit dhe shqyrtimit nen për nen, pas pyetjeve dhe marrjes së sugjerimeve dhe komenteve përkatëse, komisioni miratoi nen për nen dhe në tërësi projektligjin në fjalë dhe ia kaloi për shqyrtim seancës plenare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here