Vendimet e Strasburgut rrisin faturën e kompensimit të pronave/ 60% e pronarëve do të shpërblehen 100%, ja strategjia me emrat e tjerë

0
979

Vendimet e Gjykatës së Strasburgut do të rrisin faturën e kompensimit të pronave për vitin 2021. Ditën e djeshme, kryetarja e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, Jonida Baçi ka prezantuar raportin e vitit 2020 në Komisionin e Ligjeve. Gjatë fjalës së saj ajo tha se, aplikimet dhe shqyrtimet e tyre për vitin e shkuar kanë qenë në një numër më të limituar për shkak të pandemisë, madje nuk janë mundur të realizohen as rekomandimet që u lanë nga GJEDNJ. Këtu ajo theksoi se këto rekomandime do të fillojnë të përmbushen patjetër gjatë 2021, çka do të bëjnë që numri i kompensimeve të jetë më i lartë, rrjedhimisht rritet dhe vlera financiare që do të përdoret për to. Baçi sqaroi se, në total fatura do rritet me 100 miliardë lekë sepse vendimet e Strasburgut rikthejnë për kompensim një sërë dosjesh. Konkretisht, në një nga vendimet e GJEDNJ thuhet se do të kompensohen automatikisht 100% rreth 10.085 subjekte apo rreth 60% e çështjeve në total për rishqyrtim. Tek kjo kategori hyjnë ato prona, vlera e të cilave shkon deri në 1.5 miliardë lekë, ndërsa pjesa tjetër do të kalojnë për rishikim. “Është vendosur kompensim me 100% të vlerës cash për vendime me vlerë financiare deri në 1 milionë e 500 mijë lekë. Si rezultat i këtyre ndryshimeve bëhet e mundur tashmë që të përfitojnë 10.085 subjekte, të cilat do të kompensohen financiarisht me vlerë të plotë. Me këtë ndryshim që ne bëmë në dhjetor do të kompensohen rreth 60% e vendimeve dhe pjesa tjetër e vlerave të mëdha do t’u jepet një mundësi më e mirë për të shkuar drejt kompensimeve sipas formave të kompensimit”, tha Baçi.

18.2 miliardë lekë shtesë në faturë

Përpos rekomandimit të parë, që ende nuk i është përcaktuar vlera, por do të jetë shtesë në faturën e ATP, GJEDNJ ka kërkuar shpërblim më të lartë edhe për 10.120 pronarë të tjerë. Sipas të dhënave të raportuara nga Baçi, rekomandimi i dytë kërkon që për këta 10 mijë pronarë të bëhet kompensim me 10% më shumë, pasi vlera e parë e përcaktuar nuk ka qenë baras me vlerën e vërtetë të pronës. Kështu, për të përmbushur këtë rekomandim ATP ka vënë në dispozicion 18.2 miliardë shtesë. “Pas vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, për çështjen “Beshiri kundër Shqipërisë dhe 11 kërkesa të tjera”, janë bërë edhe ndryshimet e kërkuara në ligj, ku është rritur fatura financiare që shteti do të paguajë afërsisht 10.120 subjekte. Fatura financiare që do të përfitojnë në shtesë apo më tepër pronarët parashikohet të jetë rreth 18.2 miliardë lekë”, u shpreh ajo. Ndër të tjera Baçi sqaroi se, vlera totale e kompensimit të të gjithë ish-pronarëve, është 101 miliardë lekë. Ky fond nuk jepet i gjithi në para, por edhe në sipërfaqe toke, pasi shteti ka vënë në dispozicion për kompensimin e ish-pronarëve 50 miliardë lekë dhe 23 mijë hektarë tokë. Konkretisht të gjithë qytetarët që janë subjekt i kompensimit kanë dy zgjedhje: mund të marrin 20% në lekë dhe 80% të vlerës tokë, ose mund të marrin 40% të fondit lekë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here