Një pjesë e madhe e gjyqtarëve dhe prokurorëve të ngelur në veting i janë futur botës së avokatisë. Edhe pse u kapën në shkelje dhe me pasuri marramendëse, shumë prej tyre kanë hapur zyra avokatie, ndërsa shumë të tjerë kanë marrë licenca avokati. Ndue Pjetra, kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion deklaroi dje në “Euronews Albania” se pjesa më e madhe e tyre e kanë menduar si kartë rezervë licencën e avokatit, duke e marrë atë përpara se të dalin në bankën e vetingut. “Në qoftë se i referohemi statistikave nga 120 gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga vetingu, 97,98% e tyre janë të pajisur me licencën e avokatisë. Që nga momenti që gjyqtari apo prokurori ka marrë një licencë avokati e ka pasur të paramenduar që nesër, pasnesër do jem pjesë e avokatisë, nuk do jem pjesë e gjyqësorit, duke menduar gjithë korrupsionin që kanë bërë. Këta prokurorë dhe gjyqtarë që vazhdojnë gjykimet përdorin si mashë ish-prokurorë dhe gjyqtarë që janë kaluar nga vetingu dhe bëhen pjesë e korrupsionit në gjithë sistemin e drejtësisë”, tha ai. Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të marrë masa të menjëhershme që ish-prokurorë dhe gjyqtarë të larguar nga vettingu, të mos lejohen të bëhen pjesë e sistemit të avokatisë. Pjetra thotë se njohjet me kolegët e mbetur në sistem i kanë bërë këta ish-gjyqtarë e prokurorë, avokatët më të kërkuar për momentin, duke i parë si “karrem” për të arritur vendimet që duan. “Unë lëviz shumë nëpër rrethe dhe takoj shumë avokatë dhe më thonë, po këta na e morën dhe punën tani. Pse? Sepse nuk e bëjnë dot korrupsionin pra, do ta bëjnë me këta, sepse janë mësuar dhe e dinë sesi bëhet korrupsioni dhe mundësia për t’u fshehur. Këta persona tani deri sa të arrijnë t’i rregullojnë me ligjin e avokatisë, këtu po bëhet korrupsioni kryesor. Është e domosdoshme që të largohen fare nga sistemi i drejtësisë”, shtoi ai, për “Euronews”.