Ngjarjet në Bjellorusi alarmojnë NATO/ Dyshime për implikim të rusëve në uljen e avionit, reagon Stoltenberg

0
214

Pas takimit të së premtes së presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit të Bjellorus Aleksandar Lukashenka në Kremlin, janë shtuar dyshimet se e gjithë ngjarja e inskenimit të emergjencës dhe uljes së një avioni civil që po fluturonte në hapësirën ajrore bjelloruse, ka qenë një ngjarje e cila është realizuar në bashkëpunim me Rusinë. Aeroplani i kompanisë Ryanair ka ndërruar drejtim më 23 maj, pasi Lukashenko ka urdhëruar një aeroplan luftarak që të shoqërojë aeroplanin me pasagjerë, pasi autoritetet bjelloruse kanë thënë se kanë pranuar informacion se ka pasur bombë në aeroplan. Asnjë bombë nuk është gjetur pas uljes së aeroplanit në Minsk, por gazetari me pikëpamje opozitare bjellorus Raman Pratasevich dhe partnerja e tij janë arrestuar. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se beson që ka mundësi se autoritetet bjelloruse, në bashkëpunim me Rusinë e kanë organizuar devijimin e udhëtimit të kompanisë irlandeze Ryanair. Një deklaratë e tillë nga Stoltenberg është dhenë në një intervistë për Sky Neës mbi stërvitjet më të mëdha ushtarake të NATO-s për këtë vit. “Ne i dimë marrëdhëniet shumë të ngushta në mes të Rusisë dhe Bjellorusisë, andaj është vështirë të besohet se regjimi në Minsk do të mund të bënte diçka pa një lloj koordinimi me Rusinë”, është shprehur Stoltenberg. Ngjarja është kritikuar ashpër nga Europa por Shtetet e Bashkuara ka ndërmarrë edhe sanksione në përpjekje për t’i dhënë një mësim Lukashenkos. SHBA paralajmëroi sanksione dhe masa ndëshkimore ndaj regjimit të Presidentit autoritar të Bjellorusisë. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki bëri gjithashtu thirrje për hetime të mirëfillta lidhur me ngjarjet e 23 majit të cilat i cilësoi si një goditje e drejtpërdrejtë ndaj normave ndërkombëtare. Shtëpia e Bardhë njoftoi se po bashkëpunon me Bashkimin Evropian për një listë sanksionesh të shenjëstruara tek figura kyçe të regjimit bjellorus. Ndërkaq, më 3 qershor hyjnë në zbatim sanksionet ekonomike që njoftoi Uashingtoni në prill kundër disa ndërmarrjeve shtetërore bjelloruse, të vendosura si rezultat i shtypjes me dhunë të protestave pro-demokracisë nga autoritetet bjelloruse. Shtimin e dyshimeve për një bashkëpunim me s Rusisë dhe Bjellorusisë u ngritën që të premten me vizitën e Lukashenkas në Moskë, ku autoritetet ruse refuzuan të lejojnë dy avionë të vendeve të Bashkimit Evropian që të kalonin në Moskë dhe të shmangnin përdorimin e hapësirës ajrore të Bjellorusisë.

Qëndrimi rus

Autoritetet ruse refuzuan të lejojnë një avion të Austrian Airlines nga Vjena dhe Air France nga Parisi që të uleshin në Moskë dhe fluturimet u desh të anuloheshin, thanë kompanitë. Megjithëse Rusia tha se bëhej fjalë për probleme teknike, veprimi duket të jetë shenjë mbështetjeje për qeverinë e Minskut. Shefi i punëve të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell është shprehur se nuk e di nëse këto janë incidente të izoluara. “Ishte një konfuzion i madh në trafikun ajror, por ende nuk e di nëse po bëhet për raste specifike, apo është një normë e përgjithshme nga autoritetet ruse për t’i bërë aeroplanët evropianë që të përshkojnë hapësirën e Bjellorusisë”, tha ai para se të hynte në një takim të Ministrave të Mbrojtjes të BE-së. Borrell shtoi se duhet pritej për të parë nëse ishte e nevojshme të merreshin masa. Ndërkohë Liderja opozitare bjelloruse Svyatlana Tsikhanouskaya ka përshëndetur mbështetjen e shprehur për lëvizjen e saj nga njerëzit në gjithë botën. “Jam shume e prekur nga mbështetja që shoh në Lituani dhe gjithë botën”, u ka thënë Tsikhanouskaya gazetarëve në Vilnius më 29 maj, pasi protestat janë mbajtur në disa qytete evropiane për të shprehur solidaritetin me opozitën bjelloruse. Më parë ajo ka kërkuar ndryshimin e strategjisë së unionit evropian në lidhje me Bjellorusinë, pasi ka pretenduar se presioni i deritanishëm nuk e ka shqetësuar aspak presidentin Lukashenka. Bashkimi Evropian më tej tha se është i gatshëm të ofrojë të paktën tre miliardë dollarë për Bjellorusinë, kur shteti t’i kthehet rrugës së demokracisë dhe të fokusohet në sundimin e ligjit, reformat në gjyqësor, të ristrukturojë ndërmarrjet shoqërore dhe shpenzimet në infrastrukturë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here