Meta konfirmon daljen në opozitë/ I shpall luftë qeverisë për ta rrëzuar më 25 prill, akuzon ambasadorët për kapje të Kushtetueses

0
195

Në zgjedhjet e 25 prillit, përballë qeverisë nuk do të jetë vetëm opozita, por dhe presidenti Ilir Meta. Ishte vetë ky i fundit që e deklaroi hapur dje se do të angazhohet fuqishëm në zgjedhje. Në një intervistë për “Syri Tv”, Meta deklaroi hapur se më 25 prill është me ata që rrëzojnë qeverinë dhe jo për një proces të drejtë dhe ligjor. “Unë favorizoj rrëzimin e çdo tiranie”.Sipas tij, Rama po vendos një tirani që u intereson armiqve të shqiptarëve. Nga ana tjetër ai e bëri të qartë se në zgjedhje nuk do të jetë mbi palët. Presidenti u shpreh sedo ngrejë grupe monitorimi në çdo qendër votimin. “Unë jam duke ndërtuar strategjinë time. Në çdo qendër votimi do të ndizen prozhektorët. Do monitorohet çdo lëvizje, si e administratës, e krimineleve dhe e kujtdo”, tha Meta. Më tej ai u shpreh se detyra e tij kryesore sot janë zgjedhjet e 25 Prillit. Sipas tij, këto do jenë referendum për të ardhmen evropiane të vendit, për shkak se kjo qeveri e ka bllokuar integrimin. “Problemi sot i Shqipërisë është 25 prilli dhe presidenti këtë e ka sot detyrën kryesore. 25 prilli vendos nëse Shqipëria do ecë drejt Europës apo do të bjerë në një greminë pa fund. Pa zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka asnjë shans apo mundësi për negociata. Të tjera janë muhabete kot. Kjo qeveri ka bërë çdo gjë për të bllokuar të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Kushtet ishin të qarta. Ky është referendum. Ose fillohet instalimi i një regjimi despotik, ose do kemi një pjesëmarrje masive të popullit ku do kërkohet ajo që e kemi kërkuar edhe 30 vite më parë. Çdo shqiptar kudo që është të ngrihet dhe të kuptojë se fuqia e tij është vota e tij. Se vota e tij nuk blihet. Të gjithë të shkojnë të votojnë. Kjo është një gjë që nuk mund të pranohet për popullin tonë. Të shkojnë të votojnë për Shqipërinë në Europë,” tha Meta.

Negociatat

Ai komentoi deklaratën e kancelares gjermane, Angela Merkel se nuk ka negociata për Shqipërinë. Meta tha se ai nuk vë bast për çelje negociatash, por paralajmëroi se i ka bërë me dije këto ngjarje të pritshme. “Kam thënë se nuk ka çelje të negociatave dhe e kam treguar qartë atë që duhet bërë. Kjo deklaratë e kancelares sot është një gjuhë e zbutur diplomatike, por mendoj se qëndrimet kanë qenë të qarta edhe nga përfaqësuesi i Bundestagut për Ballkanin, zoti Vadeful. Kushtet kanë qenë aty, ne nuk kemi dashur t’i plotësojmë ato”, tha Meta. Kreu i shtetit tha se ka bërë shumë që vendit t’i pakësoheshin kushtet.“Dua t’ju kujtoj se presidenti bëri çdo gjë që Shqipërisë t’i pakësoheshin kushtet. Në kulmin e krizës majin e kaluar, dy institucione bënë përpjekjet e tyre: Bundestagu që ofroi gatishmërinë për ndërmjetësim dhe e bëri të qartë se me zgjedhje njëpartiake, pozita e Shqipërisë do të ishte edhe më e rëndë, dhe presidenti që ndërmori iniciativë dhe bëri tryeza”, tha Meta. Si gjithmonë presidenti u shfaq i nervozuar dhe me intonacion të lartë duke u përplasur në jo pak raste me gazetarët. Nga ana tjetër vijoi me kërcënimet ndaj policëve se nëse prekin një votë do të përfundojnë si policët e Mubarakut. Ajo që bie në sy është se presidenti po lufton fort që opozita të vijë në pushtet. Gojët e liga thonë se Meta pret të jetë në qeveri, por mbete të shihet.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here