Nga 1 janari nis procesi i fiskalizimit/ Bizneset afat deri në korrik të pajisen me sisteme elektronike, ja detajet

0
45

Nga 1 janari nis procesi i fiskalizimit. Kjo do të thotë që në muajin e parë të 2021

mënyra e raportimit të shitjeve për ndërmarrjet në vend pranë administratës tatimore do të ndryshojë tërësisht. Kështu me vënien në zbatim të procesit të fiskalizimit transaksionet mes biznesit dhe enteve publike do të raportohen online. Pra, ky proces do të nisë etapën e tij të parë pavarësisht situatës në të cilët ndodhet vendi. Këtë e ka konfirmuar drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj gjatë një interviste televizive, e cila tha se, nuk ka asnjë arsye që të shtyhet sërish procesi i fiskalizimit sepse ai nuk do t’u shtojë barrën bizneseve përkundrazi do të ndihmojë në ringritjen e ekonomisë, duke eliminuar problematikën më të madhe, atë të evazionit fiskal në treg. Ndër të tjera Ibrahimaj shpjegoi se, për bizneset që ende nuk kanë blerë një sistem për lëshimin e faturave elektronike do të jetë në dispozicion një periudhë transitore deri në datën 1 korrik. Gjatë kësaj periudhe, bizneset do të mund të përdorin pa pagesë portalin “Sefl care”. Sipas saj, kjo kohë në dispozicion është një tjetër lehtësi për bizneset që të përshtaten me sistemin e ri. “Do të ketë një periudhë transitore që do të lejojë bizneset që nuk kanë marrë ende një sistem apo një softëare për lëshimin e fatura elektronike. Duke qenë se periudha është shumë e shkurtër, ne kemi vendosur që të gjithë bizneset që kryejnë transaksione me entet publike, të kenë mundësi t’i kryejnë ato edhe përmes portalit “Self care”, sistemi që ne kemi për menaxhimin e fiskalizimit. Kjo është për ata që nuk kanë patur mundësi të blejnë një sistem. Do të mund të përdorin pa pagesë portalin “Self care” dhe do të lëshojnë fatura ndaj enteve publike pa pagesë përmes këtij portal”, u shpreh ajo. Më tej Ibrahimaj tregoi se pas 1 korrikut detyrimisht të gjithë bizneset duhet të jenë të pajisur më një sistem të tillë që kërkohet nga procesi i fiskalizmit. Sipas saj më 1 korrik të gjitha transaksionet me para në dorë duhet të jenë të fiskalizuara, ndërsa në shtator të fiskalizohet i gjithë sistemi. “Në datën 1 korrik të 2021, të gjitha transaksionet pa para në dorë do të jenë të fiskalizuara. Nga data 1 janar, deri në 1 korrik, do të kenë mundësi të përdorin portalin “Self care” pa pagesë. Në 1 korrik, duhet të kenë blerë një sistem dhe duhet të operojnë përmes sistemit të ri. Kjo nuk do të thotë që gjatë kësaj periudhe e kanë të ndaluar të lëshojnë fatura elektronike edhe ndaj bizneseve të tjera. Por afati përfundimtar është data 1 korrik. Ndërsa në 1 shtator të 2021, i gjithë sistemi do të jetë i fiskalizuar edhe transaksionet me para në dorë do të jenë të fiskalizuara”, theksoi drejtoresha.

Administrata e trajnuar

Edhe njëherë Ibrahimaj theksoi se të gjithë bizneset do të jenë të detyruara të dorëzojnë fatura në formë elektronike. Sakaq ajo tregoi se, Tatimet kanë filluar trajtimet për të përgatitur bizneset për mënyrën se si do të funksionojë ky proces. “Të gjithë subjektet që operojnë me shtetin dhe lëshojnë fatura ndaj enteve publike, do të jenë të detyruara që këto fatura t’i lëshojnë fatura elektronike, pra fatura të fiskalizuara. Për këtë proces ne jemi gati dhe kemi filluar të bëjmë një numër të madh trajnimesh për mënyrën sesi do të operohet me faturën në mënyrë elektronike”, u shpreh ajo. Sipas Ibrahimaj, Administrata është gati për të pasur nën kontroll këtë sistem të ri fiskalizimi, por edhe bizneset gjithashtu për shkak se po trajnohen vazhdimisht edhe ato subjekte që do të tërheqin faturën apo kuponin tatimor në formë elektronike. “Administrata tatimore është gati për të implementuar ligjin e fiskalizimit. Ka qenë gati prej kohësh sepse fillimisht, si kaloi ligji, biznesi do të fillonte të fiskalizohej në shtator të këtij viti. Sistemi është ngritur, stafi është trajnuar. Entet publike që duhet të pranojnë fatura elektronike po ashtu po trajnohen. Faza e parë e trajnimeve ishte informim. Ndërsa nga fillimi i nëntorit e deri në fund të dhjetorit po trajnohen sesi do të përdoret portali “Self care””, tha ajo.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj