“Nuk ka asnjë provë se sistemi ka ndryshuar votat”/ Komiteti i Zgjedhjeve kundër Trump

0
32

Komiteti për zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar pretendimet e presidentit aktual Donald Trump, i cili ka pretenduar se procesi zgjedhor nuk ka qenë i rregullt, se ka qenë një proces i manipuluar dhe se ka pasur probleme në numërim dhe në votim edhe nga persona të cilët kanë ndërruar jetë. Zyrtarët federalë të zgjedhjeve thanë se votimi për zgjedhjet e vitit 2020, ishte më i sigurti në historinë amerikane. “Nuk ka asnjë provë që ndonjë sistem fshiu ose ndryshoi votat”, njoftoi komiteti. Sipas BBC, reagimi i zyrtarëve vjen pasi Trump pretendoi pa ndonjë provë se 2.7 milionë votat e tij ishin “zhdukur”. Ndërkohë që pas ankimeve të Trump dhe hetimeve paszgjedhore të bëra në Arizona në më shumë se gjysmën e të gjitha qarqeve të saj, përfundimi është që nuk është zbuluar asnjë mospërputhje që mund të ndikojnë në rezultat. Hetimet në katër qarqet më të mëdha të Arizonës, të cilat përbënin 86% të të gjitha votave për president në shtet, nuk zbuluan asnjë provë të mashtrimit sistematik të votuesve për të cilin është ankuar presidenti, Donald Trump. Ndërkohë në shtetin e Arizonës është shpallur fitues me datë 12 nëntor, kandidati demokrat Joe Biden, i cili fiton kështu edhe 11 vota të tjera elektorale. Me fitoren në Arizona, Biden ka 290 vota elektorale, ndërkaq presidenti amerikan, Donald Trump 217. Fitorja e Bidenit në Arizona përmbush qëllimin e demokratëve që ta fitojnë në këtë shtet, që për shumë vite me radhë kishte qenë nën dominimin e republikanëve. Biden është bërë kandidati i dytë presidencial amerikan, në shtatë dekada, që ka fituar në Arizona. Për herë të fundit, Bill Clinton kishte fituar në Arizona në zgjedhjet e vitit 1996. Përveç pasjes së shumicës së votave elektorale, kandidati Biden, i cili mund të quhet edhe president i zgjedhur tashmë, prin edhe në votën popullore duke qenë se ka 5,3 milionë vota

Pensilvania mbështet Trumpin

Një gjykatë në Pensilvani ka mbështetur një ankesë të kampit të Donald Trumpit. Ajo ka vendosur që shteti mund të mos numërojë fletët e votimit, ku votuesit duhej të siguronin prova identifikuese dhe dështuan ta bënin atë deri më 9 nëntor. Sekretari i Shtetit i Pensilvanisë, Keti Boockvar e kishte zgjatur afatin e procesit të dorëzimit të dëshmive deri më 12 nëntor. Por gjykata tha të enjten se asaj “i mungonte autoriteti ligjor” për të dhënë këtë udhëzim, duke shtuar se të gjitha votat e tilla nuk mund të numërohen. Është e paqartë se sa fletëvotime preken nga vendimi i gjykatës dhe nëse kampi i demokratit Joe Biden planifikon të apelojë. Demokrati aktualisht po udhëheq kundrejt republikanit me më shumë se 40 mijë vota. Ndërkohë që kushdo që do të shpallet si kandidat fitues i shtetit të Pensilvanisë, dop të mundet që të marrë 20 vota elektorale të cilat i ka ky shtet. Ajo që është vënë re që nga shpallja e Biden se ai ishte fitues i këtyre zgjedhjeve, presidenti Trump nuk është shfaqua aspak në media, duke përdorur vetëm platformën sociale Twitter për të publikuar pretendimet e tij mbi mashtrimin me votat. Ndërkohë që në një prononcim për VOA, Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kritikat e demokratëve se Presidenti Trump, i lënduar nga humbja në zgjedhje, ka hequr dorë para kohe nga udhëheqja e vendit.“Plotësisht e pavërtetë. Siç ka premtuar, Presidenti Trump po lufton fuqimisht për zgjedhje të lira e të drejta, ndërkohë që vazhdon detyrat e tij për ta vënë Amerikën në plan të parë. Ai po punon gjithashtu për të realizuar një paketë të efektshme ndihmash ekonomike, duke angazhuar anëtarë të Kongresit për një propozim që ua bën të mundur autoriteteve shtetërore e lokale t’i përgjigjen pandemisë” tha zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere. Shtëpia e Bardhë nxori të enjten disa urdhra ekzekutivë të nënshkruar nga presidenti, përfshirë një që ndalon investimet amerikane në firma kineze që kanë lidhje me ushtrinë kineze.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj