Ministrja shqiptare përballjet në gjykatë/ ja për çfarë akuzohet

0
306

Gjykata e Apelit e ka kthyer sot në rigjykim rastin e kryediplomates kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla. Kjo e fundit, në tetor të vitit 2019, ishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht dhe 1 mijë euro gjobë.

Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar me 8 muaj burgim me kusht Meliza Haradinaj -Stubllën, pasi si zyrtare e lartë që ishte, këshilltare e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj ajo kishte bërë deklarim të rremë të pasurisë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, për të dënuarën nuk do të ekzekutohej vendimi me burgim nëse gjatë 1 viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Ajo akuzohej se me rastin e marrjes së detyrës si këshilltare politike e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 11 shtator 2017, nuk e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsion pronësinë e saj mbi biznesin “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër, edhe pse ka qenë e obliguar.

Aktakuza ndja Meliza Haradinajt, ishte ngritur më 26 mars të vitit 2019, teksa vendimi ishte marrë rreth shtatë muaj më vonë.

Në lidhje me këtë çështje, kishte pasur reagime të shumta në opinion, pasi që Haradinaj si e dënuar nga shkalla e parë, ishte propozuar, e më pas zgjedhur si ministre e Jashtme, dikaster ky me rëndësi të madhe në qeverinë e Kosovës.

Për rastin në fjalë, ishte sqaruar edhe vet ministrja Haradinaj, e cila kishte thënë se biznesin në fjalë, “In Middle LTD” e kishte hapur më 2015 në Britani, duke respektuar ligjin, shkruan lajmi.net.

Tutje, në reagim ajo thoshte se në momentin kur ishte emëruar këshilltare e kryeministrit Haradinaj, ishte këshilluar nga një avokat, teksa ky i fundit i kishte thënë asaj se biznesi trajtohet si i fjetur, pa transaksione me peshë afariste.

“Vlen të theksohet se biznesi përgjatë gjithë historikut të tij financiar, nuk ka tejkaluar vlerën prej 3,000€ qarkullim. Citoj letrën e avokatit deponuar edhe në Prokurori: “Mund të konfirmoj se kompania ‘In Middle Ltd’ nuk ishte ndërmarrje tregtare më datën 30 shtator 2017 dhe se statusi i saj nuk ka ndryshuar që atëherë”, kishte thënë ajo.

Sidoqoftë, ky rast është kthyer sot në rigjykim pasi që Gjykata e Apelit ka konstatuar shkelje në vendimin e shkallës së parë.

Gjykata e Apelit, gjeti se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë, është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është në kundërshtim me vetveten, si dhe me arsyetimin, pasi që nuk përmban fakte vendimtare të cilat e karakterizojnë veprën penale.

Po ashtu nga shkresat e lëndës rezulton se gjykata e shkallës së parë, me aktgjykimin nxjerrë, nuk i ka vërtetuar në mënyrë të drejtë elementet inkriminuese të veprës penale, e cila i vihet në barrë të akuzuarës, sepse fillimisht është dashur që të vërtetoj elementet të cilat e karakterizojnë veprën penale, që nënkupton në përshkrimin faktik dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i mangët.

Për këto dhe arsye tjera, u vendos që çështja të kthehet në rigjykim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here