Ledia Sulaj: Kam synuar të vij ndryshe nga vepra në vepër, të sjell gjëra të bukura pjesë e detyrës sime si artiste

0
447

Ledia Sulaj, soliste e Teatrit të Operës dhe Baletit ka një aktivitet të vlerësuar, në jetën artistike prej vitesh. Në shfaqje të ndryshme ka spikatur me interpretimet e saj, ku angazhimet artistike kanë qenë të shumta. Këto ditë ashtu si dhe të tjerë artistë balerina e njohur e TOB po qëndron në shtëpi, por siç tregon dhe vetë nuk ka shkëputje me aktivitetin e saj. Në intervistën për “SOT” solistja Ledia Sulaj tregon për ditët që po qëndron larg teatrit, si dhe punën që merret gjatë kësaj kohe. Ajo tregon se së bashku me artistët po punojnë për një pjesë, për ta prezantuar për artdashësit. Prej vitesh në skena solistja Sulaj tregon se arritjet në jetën artistike kanë kërkuar shumë punë, dhe se pasioni për profesionin ka shumë rëndësi. Si soliste Ledia Sulaj flet dhe për vështirësitë në jetën artistike dhe këshillat që ka marrë për të arritur suksesin. Baleti “Don Kishoti” është një vepër që ka njohur suksesin në botë, por solistja pohon se shpreson ta shohë dhe në skenën shqiptare pasi mungon prej vitesh.

-Si po kalojnë këto ditë për ju?

Këto ditë po kalojnë ashtu si të gjithë qytetarët e tjerë të ndërgjegjshëm të botës, duke u karantinuar në shtëpi. Ditët e para u mundova të jepja mesazhin tim dhe nëpërmjet rrjeteve të mia sociale dhe si balerinë, si artiste që të qëndronim në shtëpi për një të ardhme akoma më të mirë. Sigurisht duke mësuar më shumë në pjesën e kuzhinës dhe gjithmonë pa harruar të kryej ushtrime fizike dy herë në ditë. Bën mirë për trupin, mendjen dhe shëndetin.

 – Si soliste ju u shprehët se me teatrin po vijon puna dhe online. Si po zhvillohet kjo?

Patjeter që Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po vazhdon punën online dhe ka ide shumë novatore falë teknologjisë së sotme. Flas për pjesën e sektorit të baletit, që stërvitemi online duke u lidhur të gjithë kolegët dhe drejtuesja e baletit jep ushtrimet e ditës dhe ne ekzekutojmë, sepse duhet të rrimë në formë. Pjesa online në teatër do jetë dhe më e bukur akoma në vijim, që për momentin po e lë surprizë. E para ishte kënga e mrekullueshme “ Dua më shumë Shqipërinë”, që kanë bërë kolegët e Operës me zërin e tyre të mrekullueshëm dhe tashmë është bërë virale në të gjitha rrjetet. Tashmë kjo do jetë në të gjithë sektorët. Me kaq po e lë, surprizat do vazhdojnë.

-Për momentin aktivitetet në skena janë ndërprerë, por nëse flasim për aktivitetin tënd si soliste çfarë ke synuar në jetën artistike?

Në jetën time artistike kam synuar gjithmonë veprat e ndryshme të larmishme kombëtare dhe ndërkombëtare. Kam pasur gjithmonë dëshirën të vij ndryshe nga vepra në vepër. Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të punoja me maestro kombëtar dhe ndërkombëtar të baletit dhe jam ndjerë shumë e nderuar. Sigurisht që kam dhe një dëshirë artistike, që është baleti “Don Kishoti”.

– Nëse një ditë do të ishte në skenë vepra e baletit “Don Kishoti” në çfarë roli do doje të ishe?

Baleti “Don Kishoti” është një kryevepër botërore dhe nuk ka si mos të jetë kaq e kërkuar dhe nga unë. Ka një muzikë perlë dhe shumë alegro. Ka një libret me nota humori dhe sigurisht dashurie, ka personazhe shumë të larmishëm. Ka shumë stil në çdo gjë në gjuhën trupore, në veshje, në lëvizje. Pra për mendimin tim ka gjithçka të bukur dhe mbi të gjitha ka teknikë të lartë, përfshin dhe një numër të madh balerinësh dhe të fal shumë buzëqeshje. Gjë që duhet shumë në këto kohë. Pa diskutim, që personazhi që do të doja të kërceja është Kitri.

 -“Don Kishoti” është vënë në skena të ndryshme të botës, por në skenën shqiptare kur u vendos për herë të fundit?

Si vepër ka shumë vite pa u vendosur në teatrin tonë vetë për faktin se është shumë e madhe. Kërkon shumë artistë në skenë, ka 4 akte të plota, duhen kostume të shumta në stilin spanjoll dhe klasik. Është një vepër shumë dimensionale. Mendoj që me bashkëpunimin e TKOB dhe Shkollës së Baletit sikurse dhe Universitetit të Arteve kjo vepër mund të realizohet, por siç e shihni ka shumë komponent. Dhe shpresoj që me hapjen e teatrit të jetë dhe mundësia për skenën e madhe, sepse kjo vepër do shumë hapësirë që më në fund po vjen së shpejti. Me sa mbaj mend unë kjo vepër mund të ketë që në vitin 2002 në mos gaboj, sepse e kam parë në sallë. Kam qenë nxënëse e Shkollës së Baletit dhe koreografia ishte e punuar nga maestro Agron Aliaj dhe balerinë Anbeta Toromani.

– Një balerinë si ju me vlerësime të ndryshme dhe asnjëherë larg skenës, por duke interpretuar. Si po e përjeton këtë situatë?

Pikërisht prej profesionit unë nuk qëndroj dot në një vend. Jam mësuar me shumë aktivitet dhe lëvizje, që në fëmijëri dhe në fakt e kam pasur pak të vështirë mungesën e “Lirisë”, sepse për mua përkthehet në “Jetë”. Por jam mësuar dhe mos të dorëzohem kurrë, që do të thotë jam munduar të vazhdoj të jem aktive, të jem pozitive, më kanë ndihmuar dhe zbukuruar ditën dhe nxënëset e mia të vogla, që më sjellin video duke kërcyer. Madje me disa kolege balerina të TKOB bëmë dhe një video, duke kënduar këngën e Alban Skenderajt dhe Miriam Cani “Ende ka shpresë” dhe u shpërnda në rrjet dhe menduam të falnim pozitivitet me aq sa mundemi nga shtëpia. Dhe do vazhdojmë të sjellim gjëra të bukura, sepse unë mendoj që kjo gjë është pjesë e detyrës time si artiste.

 -Tashmë pritet që me kapërcimin e kësaj gjendje aktiviteti të jetë normalisht në TOB, që është rikonstruktuar. Sa rëndësi ka për ju?

Në fakt u bënë 3 vite që jemi pa shtëpinë tonë dhe për fat të keq tani që do përfundonte dhe skena ndodhi kjo situatë. Gjithsesi mendoj, që për një “Dashuri” që për mua është skena ja vlen gjithnjë që të durosh dhe pak. Po mendohej për hapjen e TKOB një jubile i madh, një super shfaqje që padyshim do bëhet, por tashmë në një tjetër moment. Duhet vetëm të durojmë pak.

 -Një soliste si ju me angazhime në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit apo dhe spektakle të ndryshme, sa e vështirë ka qenë arritja te suksesi?

Të them të drejtën suksesi mbase ka ardhur pikërisht, sepse nuk e kam menduar fare. Më ka thënë maestro i madh i baletit: “vetëm puno, sepse suksesi do të vij vetë” dhe ashtu ndodhi. Mendoj që kur ke vërtet një profesion dhe mbi të gjitha të kesh një pasion për të është gjëja më e bukur, që mund të ndodh, sepse i bie mos të merzitesh kurrë me punën që bën. Dhe gjithashtu mendoj, që duhet të jesh me këmbë në tokë dhe me vullnet të hekurt. Nuk di të jap “receta”, por di që kush punon fiton.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here