Google search engine
Home Lifestyle Natyrë Shkencëtarët zbulojnë misterin e Bermudës, pse ishulli “nuk fundoset”

Shkencëtarët zbulojnë misterin e Bermudës, pse ishulli “nuk fundoset”

0
27

Bermuda ka magjepsur prej dekadash opinionin publik për shkak të legjendave dhe teorive që lidhen me Bermuda Triangle, zonën famëkeqe të lidhur me zhdukje misterioze dhe incidente të pashpjegueshme. Por përtej miteve dhe teorive konspirative, shkencëtarët prej vitesh janë përballur edhe me një tjetër mister: si ka mundësi që Bermuda vazhdon të qëndrojë kaq lart mbi fundin e oqeanit, megjithëse vullkanet e saj janë shuar prej më shumë se 30 milionë vitesh?

Zinxhiri i vogël i ishujve ndodhet rreth 650 milje në lindje të Karolinës së Veriut, në Atlantikun e Veriut, dhe sot aty jetojnë rreth 64 mijë banorë. Normalisht, ishujt vullkanikë mbështeten në aktivitetin e vazhdueshëm gjeologjik dhe nxehtësinë nga thellësitë e Tokës për të ruajtur lartësinë e tyre. Me kalimin e miliona viteve, ata zakonisht fundosen gradualisht. Por Bermuda ka sfiduar këtë rregull. Tani, shkencëtarët besojnë se kanë zbuluar arsyen. Sipas një studimi të publikuar në Geophysical Research Letters, nën Bermuda fshihet një shtresë gjigante shkëmbinjsh vullkanikë më të lehtë, e cila vepron si një “bazë lundruese” që mban ishullin të ngritur. Studiuesit Uilliam Frejzër dhe Xhefri Park analizuan të dhëna sizmike të mbledhura për më shumë se dy dekada nga një stacion monitorimi në Bermuda. Duke studiuar valët e tërmeteve që kalojnë nëpër Tokë, ata arritën të krijonin një hartë të shtresave shkëmbore deri në mbi 40 kilometra nën ishull.

Rezultatet treguan ekzistencën e një shtrese shkëmbore rreth 19 kilometra të trashë, me densitet më të ulët se materiali përreth mantelit të Tokës. Kjo e bën atë më “lundruese”, duke ndihmuar Bermudën të qëndrojë më lart mbi dyshemenë e oqeanit. Sipas shkencëtarëve, kjo shtresë u formua 30 deri në 35 milionë vjet më parë, kur materiale të nxehta të shkrira u ngritën nga thellësitë e Tokës, u përhapën nën kore dhe më pas u ftohën duke krijuar një bazë të fortë shkëmbore. Studiuesit zbuluan gjithashtu se zona ka një anomali të lehtë gravitacionale, pasi materiali më i lehtë nën sipërfaqe e bën gravitetin pak më të dobët se zakonisht.

Po ashtu, Bermuda është e njohur për sinjale magnetike të pazakonta, të krijuara nga shkëmbinj vullkanikë të pasur me hekur dhe titan. Shkencëtarët thonë se këto mund të ndikojnë lehtë në busulla, por nuk konsiderohen të rrezikshme për avionët apo anijet. “Bermuda është një vend shumë interesant për t’u studiuar, sepse shumë nga karakteristikat e saj nuk përputhen me modelet klasike gjeologjike”, tha studiuesi Uilliam Frejzër. Megjithatë, pavarësisht shpjegimeve shkencore, misteri dhe legjendat e Trekëndëshit të Bermudës vazhdojnë të ushqejnë imagjinatën e njerëzve në mbarë botën.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here