Genc Tomori: Ju rrëfej “fërkimet” me Fëlerin kundër Gjermanisë, u kam shënuar dy portierëve më të mirë në botë

0
41

Ndoshta të rinjtë nuk e dinë, por ish-lojtari i Partizanit dhe Kombëtares, Genci Tomori, u ka shënuar gola dy portierëve më të mirë në botë në fillimvitet 80-të, Shumakerit të Gjermanisë dhe Koncilias së Austrisë. Ai ka luajtur me të kuqtë në një kohë kur kampionati shqiptar kishte prekur zenitin e tij. Dhe sipas Tomorit, në gjeneratën e viteve 1980-1990, kishte 20-30 lojtarë që mund të luanin me ekipet cilësore europiane. Në këtë intervistë për gazetën “Sot”, ish-mesfushori i Partizanit na njeh me hapat e tij të parë në klubin e kuq, aktivizimin me moshat, e më pas me ekipin e parë, ndeshjet e mëdha të të kuqve në rang ndërkombëtar e madje dhe goli i famshëm shënuar ndaj Gjermanisë (1983), por edhe aktivizimi si portier në ndeshje delikate e të rëndësishme.

Kush është Genci Tomori?

Datëlindja: 17.01.1960 (Tiranë).

Mban titujt: “Mjeshtër Sporti” dhe “Mjeshtër i Madh”.

Karriera si lojtar

1971-1974 – Ekipet zinxhirë të Partizanit.

1975-1977 – Ekipin e paratërinjve të Partizanit.

1977-1979 – Golashënuesi më i mirë i kampionatit të paratërinjve (78-79).

1979-1989 – Aktivizohet me ekipin e parë të Partizanit.

1980-1989 – Shënon për Partizanin 60 gola +20 gola në aktivitete të tjera të FSHF-së.

1989-1090 – Aktivizohet me Besën e Kavajës.

Trofetë me Partizanin

2 kampionate (1980-81, 1986-87), 1 Kupë Republike (1979-80), 1 titull ballkanik (1981), 1 Kupë Shqipërie si drejtues i Partizanit (2003-2004), 1 titull si pjesëtar i Partizanit (2018-2019), Kampion Kombëtar si trajner dhe si drejtues me ekipet e moshave të Partizanit nga U-12 deri në U-19. Fitues i 2 Kupave të Shqipërisë si trajner me ekipin U-19 të Partizanit.  

Me Kombëtaren – 3 ndeshje ndërkombëtare, autor i golit ndaj Gjermanisë (2-1 për gjermanët).

Me Partizanin – Pjesëmarrës në 5 ndeshje europiane (Partizani-Malmo, Malmo-Partizani, Austri e Vjenës-Partizani, Partizani-Austri e Vjenës, Benfika-Partizani).

Karriera si trajner e drejtues

1993-2000 – Drejtues i Akademisë së Futbollit privat “DEA 2000”, Tiranë.

2001-2020 – Pjesë e pandarë e Partizanit, duke filluar nga zv/trajner, trajner i parë, drejtor akademie, drejtor i përgjithshëm.

Vlerësime

Fitues i Anketës “100 Figurat e Spikatura të Futbollit Shqiptar të të gjitha kohërave”.

“Medalja Meritës” dhënë nga Klubi i Partizanit me rastin e 70-vjetorit të krijimit.  

Medalje “Legjenda e Futbollit Shqiptar” dorëzuar nga FSHF më 2018.

Para pak ditësh u dekoruat nga Presidenti i Republikës me titullin “Mjeshtër i Madh”. Ç’do të thotë për ju ky vlerësim dhe kujt ia dedikoni?

Ky është një vlerësim për punën time 50-vjeçare, por njeriu nuk vlerësohet vetëm në fushë, pasi futbolli është i lidhur me jetën, familjen, shoqërinë. Këtë ia dedikoj familjes, dy prindërve të mi, por padyshim edhe klubit të Partizanit. Ky është vlerësimi më i arrirë deri tani, mendoj se erdhi në momentin e duhur.

Si ka ndodhur lidhja juaj me futbollin e veçmas me Partizanin?

Ne jemi familje sportistësh. Vëllai im i madh, Ylli, ka luajtur volejboll në nivele të larta dhe ka qenë nga më të mirët e volejbollit me Partizanin dhe Kombëtaren. Kjo ka qenë shtysë që edhe unë të lidhem me Partizanin. E kam nisur futbollin në moshën 10-vjeçare më 1970, me moshat e Partizanit, dhe trajner të parë kam pasur Ziçe Sakiqin. Në fakt, ishte një ëndërr për fëmijët e kohës tonë të luanin me Partizanin. Në atë periudhë dominonin tri skuadrat e kryeqytetit, por unë zgjodha Partizanin se ishte familja jonë. Momenti kur unë hyra tek Partizani, atje luanin lojtarë të mëdhenj si Panajot Pano, Bert Jashari, Safet Berisha etj.

Cili ishte pozicioni që morët në fushë?

Unë kam luajtur gjithmonë mesfushor, por në këtë rol kam bërë si mesfushorin ofensiv, ashtu dhe atë difensiv, më shumë jam shquar për golat që kam bërë. Në çdo kampionat moshash jam vlerësuar nga më të mirët. Nuk kam pasur në mesfushë ndonjë pikë orientimi, shumë më lidhin me Tardelin, nisur nga paraqitja që kam bërë. Më kanë vlerësuar si lojtar për skuadrën dhe kështu është më mirë. Ndeshjen e parë me të rriturit e Partizanit e kam luajtur ndaj Dinamos, në Kupën e Republikës. Jam futur direkt në formacion, por vija si golashënuesi më i mirë në kampionatin e të rinjve (1980). Isha 19 vjeç dhe atë muaj (janar) fituam Kupën. Eliminuam Dinamon e më pas mundëm Elbasanin. Pra fitorja e parë e imja në elitë ishte me Dinamon, ndërsa golin e parë ia kam shënuar Besës në vitin 1980, në një ndeshje të luajtur në “Selman Stërmasi”. Ka qenë një gol i shënuar me roveshatë në minutat e fundit.

Kë mendoni si ndeshjen më të rëndësishme në karrierën tuaj?

Ka shumë ndeshje të rëndësishme, padiskutim, sidomos ato derbi ndaj Tiranës dhe Dinamos, por unë do të veçoja duelin me Gjermaninë në vitin 1983. Edhe golin më të rëndësishëm në karrierën time vlerësoj pikërisht atë ndaj Gjermanisë. Një tjetër ndeshje që më ka lënë mbresë është derbi me Tiranën në vitin 1986. Musta doli me karton të kuq dhe unë u aktivizova portier. Po humbnim 1-0, por edhe pse me 10 vetë për më shumë se 45 minuta ia dolëm të barazonim 1-1.

Kjo historia juaj, edhe mesfushor edhe portier, është e përsëritur. Pse pikërisht ju?

E vërtetë, edhe ndaj Benfikës në Portugali, në vitin 1987, kam luajtur 40 minuta portier, pasi Musta doli me të kuqe. Mendoj se trajneri Bajko kishte besim tek unë, por për këtë duhen parë edhe rregulloret e asaj kohe. Ndeshja me Benfikën bëri bujë të madhe në atë kohë dhe Partizani ka vuajtur jo pak nga ajo ngjarje. Nga ana jonë dolën katër lojtarë me karton të kuq. Është fakt që ekipet e vogla në atë periudhë i eliminonin me mënyra të tilla, gjyqtarët nuk ishin dashamirës dhe anonin nga ekipet e mëdha. Atë ngjarje ne e vuajtëm shumë më pas, sepse regjimi dënoi 4-5 lojtarë për figurë të keqe. Unë nuk e pësova, sepse u ndodha në rolin e portierit. Ishte ndeshje e pazakontë, por publiku portugez ishte i irrituar me skuadrën e vet, pasi deri 15 minuta nga fundi ata nuk kishin mundur të shënonin. Ne ishim me 6 lojtarë në fushë e prapë rezistonim, por në fund humbëm.

Në ndeshjen e nëntorit 1983 kundër Gjermanisë, ju keni qenë protagonist absolut. Shënuat gol, morët edhe karton të kuq. Si ndodhi?

Në minutën e 23-të kaluam në avantazh. Shënova unë, por ishte meritë e grupit, si pasojë e një kundërsulmi të frikshëm. 70 metra u bënë për 5-6 sekonda dhe teknikisht e taktikisht ishte aksion perfekt. Ishte meritë e Omurit, Vukatanës e Ragamit, ndërsa unë e finalizova. Nuk fituam, sepse ekipi luajti me 10 vetë, pasi unë dola me të kuqe. Protagonist u bë Fëler, i cili u tregua provokator. Në fakt ai shquhej si i tillë, si sherrxhi, ndërsa unë u shfaqa i irrituar, kjo më penalizoi. E vërteta është se Gjermanisë i duhej me patjetër fitorja që të shkonte në Europian. Ka qenë një ndeshje e veçantë, pasi për herë të parë e dha transmetim direkt TVSH-ja. Përjetimi kishte qenë i madh dhe unë e shokët u pritëm mirë në Tiranë, njerëzit na përshëndesnin në çdo cep rruge, pasi na jepnin të drejtë për reagimin tonë.

Një tjetër gol ndërkombëtar ju ia shënuat Austrisë së Vjenës…

Po, Partizani luante me Austrinë e Vjenës në Kupën e Kupave, unë shënova golin e parë. Emocione të mëdha, sigurisht, por me këtë rast kujtimi është i bukur, pasi unë u kam shënuar gol dy portierëve më të mirë në botë në atë kohë, Harald Shumakerit të Gjermanisë (1983) dhe Fridrih Konçilias së Austrisë (1981). Por nuk duhet të harrojmë që i kam shënuar gol edhe B. Gogunjës së Elbasanit, duke i thyer rekordin që ai mbante me 1 mijë e ca minuta me portë të paprekur.

Pse futbolli i viteve 1980-1990 ka pasur kaq shumë nam?

Sepse ato vite ka qenë “boom”-i i futbollit shqiptar, një rritje e madhe. Unë mendoj për dy arsye: së pari, me ligj kaluam në nivel profesionist, ku lojtari paguhej direkt në klub dhe bënim dy herë stërvitje në ditë. Së dyti, rëndësi pati specializimi i teknikëve tanë jashtë shtetit. Kjo lëvizje solli shumë cilësi dhe unë ju siguroj se 20-30 lojtarë të asaj periudhe nga kampionati shqiptar mund të luanin me klubet më të mira të Europës. Kishim ëndrra, por regjimi ishte i tillë, nuk e lejonte lëvizjen. Nuk ishte vetëm Partizani, pasi në ato vite, Shqipëria kishte një futboll të zhvilluar edhe në rrethe. Përveç tre ekipeve të kryeqytetit, ishte Vllaznia, Flamurtari, Elbasani, Apolonia, por futboll cilësor kishte edhe Durrësi, Kavaja, Berati, Gjirokastra etj, madje dhe Lezha prodhoi shumë talente. Ishin 10-12 ekipe elitare që kishin staturë të fortë në garë. Por nuk lejoheshin lëvizjet, me përjashtime të pakta brenda vendit dhe, më duhet të pranoj, të vishje bluzën e Partizanit në ato vite ishte ëndërr e madhe, ishte kulminacioni i karrierës sportive.

Sipas jush, kush është lojtari dhe ekipi më i madh shqiptar në historinë e futbollit tonë?

Si lojtar dihet më i miri, është “mbreti”, Panajot Pano. Ka qenë nder për mua më vonë që kam veshur bluzën me numër 10 të Panos, kulmi për një sportist. Si ekip…, besoj se këtë e zgjidh publiku.

Cilët kanë qenë kundërshtarët tuaj më të fortë në fushë?

Janë shumë, por duelet më të forta i kam pasur me S. Memën dhe Muçën e Tiranës, Demollarin e Dinamos etj, pasi kisha dhe veti të mira mbrojtëse.

Ju ushtroni edhe profesionin e trajnerit, por vijoni t’i mbeteni besnik Partizanit, pse?

Kam pasur oferta, sigurisht, madje kam qenë teknik i kohëve të vështira. Nuk jam larguar nga Partizani, sepse është zgjedhje zemre. Në dy vjet, 2009-2011 ne ishim gati në zhdukje, po na humbiste edhe stema, por erdhën ndryshimet për mirë dhe kemi 6 vjet që luajmë në elitë, marrim pjesë në Europë, klubi nën drejtimin e Gaz Demit funksionon, madje në vitin 2016 eliminuam Ferencvaroshin në Champions. Kemi progres dhe kjo na jep kënaqësi.

E ke menduar veten ndonjëherë jashtë futbollit?

Asnjëherë, sepse që fëmijë unë kam qenë me top në dorë. Kam pasur një dëshirë të bëhesha arbitër pasi u tërhoqa nga futbolli, por shokët më sugjeruan që nuk do të bëhesha i mirë, ka paragjykime, pasi s’është domosdoshmëri që një lojtar i mirë të bëhet edhe arbitër i mirë. Kështu që iu futa trajningut.

Çfarë mendimi keni për Superioren e këtij sezoni?

Janë 8 ekipe në garë. Me përbërjen që kanë shoh që mund të fitojnë, por edhe mund të humbin. Për momentin vetëm dy ekipe, Flamurtari e Luftëtari, i shoh jashtë garës, të tjerat janë brenda objektivave. Sa i takon nivelit, mendoj është shumë i mirë, por lojtarët duhet të punojnë më shumë. Dëshira është e madhe që Partizani të fitojë sërish titull, por që të ndodhë kjo duhet më shumë punë. Por kemi një lajm të mirë, kompleksin e ri sportiv. Kur mendon që për 11 vjet nuk kishim as fushë, tani kemi rilindur, një kompleks më i madh e më i bukur dhe do të kemi më shumë lojtarë nga akademia.

E spikatur…

“Emocione të mëdha, sigurisht, por me këtë rast kujtimi është i bukur, pasi unë u kam shënuar gol dy portierëve më të mirë në botë në atë kohë, Harald Shumakerit të Gjermanisë (1983) dhe Fridrih Konçilias së Austrisë (1981). Por nuk duhet të harrojmë që i kam shënuar gol edhe B. Gogunjës së Elbasanit, duke i thyer rekordin që ai mbante me 1 mijë e ca minuta me portë të paprekur…”

Leave a Reply