Autoriteti i Dosjeve plas “bombën”, 3 deputetë spiunë të Sigurimit të Shtetit, ish-agjentë edhe në polici, Ministrinë e Brendshme dhe të Drejtësisë

0
348

Spiunët e ish-Sigurimit të Shteti duket se kanë depërtuar nga politika deri në administratë. Për vite e vite me radhë është folur mbi rolin që kanë edhe sot shumë ish-bashkëpunëtorë të strukturave të regjimit komunist, por pak është bërë për frenimin e tyre. Mazhoranca miratoi një ligj për këtë çështje, i cili nuk është tërësisht i plotë, pasi nuk prek shumë kategori, mes të cilëve dhe politikanët. Por gazeta ka siguruar një dokument të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit, ku theksohet se për 2 për qind të deputetëve ka të dhëna në arkivat e ish-Sigurimit. Bëhet fjalë për një dokument të datës 17.01.2019, ku i është kthyer përgjigje një qytetari që ka kërkuar informacion mbi këtë çështje. AIDSSH është kujdesur të mos japë shifra të sakta dhe emra, por nëse bëjmë një llogaritje të thjeshtë, 2 për qind e 140 deputetëve i bie 3 deputetë, ku përfshihen dhe emrat e atyre që dogjën më pas mandatet. “Bazuar në nenin 36 e vijues të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosi: Të informojë shtetasin N. Ç., sipas objektit kërkesës së paraqitur prej tij, me nr. prot. 205; datë 12.04.2018, se nga verifikimet e bëra deri tani në arkivin tonë: a. Rezultojnë të dhëna në dokumente të krijuara nga ish-Sigurimi i Shtetit për 2% (dy për qind) nga 140 deputetët e legjislaturës aktuale; Kjo është një e dhënë statistikore, pasi ligji nr. 45/2015, sikurse edhe ligji për mbrojtjen e të dhënave personale nr. Nr. 9887, datë 10.03.2008, e kufizon dhënien e

emrave”, thuhet në dokument. Pra AIDSSH e pranon që ka deputetë me dosje dhe 2 për qind e tyre i bie 3 emra. Ata që janë njohës të fushës prej kohësh kanë thënë se në politikë ka ish-spiunë, ndërkohë ka dhe nga ata që i kanë zhdukur dokumentet.

Emrat në administratë

Përveç politikës, gjatë vitit 2019 janë zbuluar ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit në Polici, Ministrinë e Brendshme dhe në atë të Drejtësisë. Sa i takon policisë, AIDSSH ka zbuluar se janë me dosje efektivët me iniciale G.Z, B.SH dhe A.SH. Ndërsa një tjetër shtetas është gjetur në Ministrinë e Brendshme. “….Autoriteti vendosi: Të informojë Institucionin e Ministrisë së Brendshme, për informacionin që kërkohet me shkresën nr.870/1 prot., datë 01.02.2019, “Kërkesë për verifikimin e figurës së pastërtisë, të kandidatëve për Anëtarë të Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Jashtëm të Vlerësimit”, se: a) Për V.V, nga verifikimet e kryera deri tani, figuron të ketë materiale, në regjistrin e agjenturës Tiranë nr. 76 (395, fletë), me numrin e regjistrit 12.210, kategoria “Informator”, datëlindja 1955, vendlindja Korçë dega “MES”, drejtimi komunal. b) Do të bëhet kërkim i mëtejshëm në dokumentacionin arkivor për të saktësuar sektorin përkatës dhe aktivitetin e tij gjë që kërkon një afat kohor të shtuar”, thuhet në dokument. Po ashtu një përgjigje i është dhënë dhe Ministrisë së Drejtësisë. “Bazuar në nenin 10, nenin 26 e vijues të ligjit nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ligjit nr. 8480, datë 27.5.1999 “Për Funksionimin e Organeve Kolegjiale të Administratës Shtetërore dhe Enteve Publike”, Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, vendosi:

1. Të dërgojë pranë Ministrisë së Drejtësisë, për sa kërkohet, për 10 kërkesat

e dërguar për verifikim të cilat kanë dokumentacion në emër të tyre, në mbështetje të Nenit 26, pika 6 të Ligjit nr.45/2015”, thuhet aty.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here