Zef Deda: Arti po shpartallohet, bëhet vetëm propagandë, kemi një Ministri Kulture të dobët

0
161

Aktori i njohur Zef Deda, i vlerësuar me aktivitetin e tij në jetën artistike po vazhdon me suksese të tjera. Me rolet e tij, aktori ka marrë shumë vlerësime nga publiku për atë që sjell në skenë. Aktor i njohur i humorit, tregon se këtë vit ka në plan të tjera projekte artistike. Në intervistën për “SOT” aktori Zef Deda “Mjeshtër i Madh” shprehet se është e padrejtë që sot për jetën artistike ka kaq pak vëmendje nga shteti. Sipas tij, të vjen keq që as estradat nuk janë më si dikur, por dhe në teatro problemet nuk mungojnë. Për aktorin, sot artisti duhet të vlerësohet më shumë, pasi prej vitesh jeta për artin është shumë e vështirë. Me kritika aktori i njohur shprehet dhe për Ministrinë e Kulturës, që sipas tij nuk po bën sa duhet për jetën artistike në vend. Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të vendit, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Ka punuar për më shumë se 40-vite në teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ndërkohë që vijon angazhimet me shfaqje të ndryshme. Talenti i tij spikat, që në moshë të vogël. Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyer psiko-fizike ai arrin që të realizojë qindra figura artistike. Aktori Zef Deda është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë shkodran. Ai gjithashtu ka interpretuar në komedi të suksesshme si “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, “Lufta dhe paqja pa pilaf…”, etj. Ndërkaq që tregon se në planet e këtij viti ai shpreson, që të realizojë një tjetër shfaqje humori.

-Si ka nisur ky vit për ju, çfarë mund të na thoni për projektet artistike në Shkodër?

Teatri “Migjeni”, në qytetin e Shkodrës ka nisur jetën artistike. Teatri zhvillon projekte të dramës, por dhe të komedisë. Për një projekt teatror ka nisur puna për ta sjellë në skenën e teatrit. Kurse vepra tjetër mund të fillojë puna nga muaji mars. Në vijim do të jetë edhe një shfaqje estrade, por dhe koncerti i madh i pranverës, që ne bëjmë në teatrin “Migjeni” në qytetin e Shkodrës. Koncerti i pranverës është i përvitshëm në Shkodër. Në teatrin “Migjeni” ne pak ditë më parë zhvilluam dhe aktivitetin për 93- vjetorin e lindjes së aktorit të shquar të humorit shqiptar, një nga themeluesit e estradës profesioniste, artisti Tano Banushi. Pra këtë vit ne kemi pasur një hapje të mirë të aktivitetit artistik në teatër. Unë kam një projekt për një shfaqje estrade, të cilin e kam propozuar vetë që të jetë në skenë dhe teatri ka çuar propozimin në bashki. Çdo projekt merr aprovimin e këshillit artistik, sepse pa të nuk mund të bëhet dot gjë.

-Me aktivitetin tuaj ndër vite jeni shumë i vlerësuar dhe i dashur për publikun. Në galerinë tuaj të personazheve kë veçoni?

Unë të tërë personazhet i kam dashur me gjithë zemër kur i kam luajtur. Këto personazhe janë dhe suksesi i atyre materialeve, që kam pasur ndër vite me humorin. Kam interpretuar Charlie Chaplin (imitim), ka qenë Kola i dritave, personazhi i Kostandinit tek “Kostandini dhe Dorontina”, por ndër më të fuqishmit ka qenë dhe roli i Lonit te komedia me një akt “Kunati i shokut Xhemal”, në vitin 1985 dhe është shkruar nga mjeshtri Paulin Selimi. Në komedi interpretoja në rolin e Lonit, si dhe aktorë të tjerë të njohur të Shkodrës. Mua më kujtohen vazhdimisht të gjithë këto pjesë, komedi ndër vite dhe skeçe, që kam interpretuar. Veç këtyre roleve, në aktivitetin tim janë dhe të tjerë që janë mjaft të dashur, që janë me shumicë në jetën time artistike tim.

-“Kunati i shokut Xhemal” që i takon 1985, si u prit në atë kohë?

 “Kunati i shokut Xhemal” shkruar nga mjeshtri Paulin Selimi është një risi e asaj kohe, sepse kritikonte disa marrëdhënie, komedia kritikonte lart. Si sot që sa vjen një parti në pushtet vendos në punë njerëzit e saj. Sa vjen partia tjetër në pushtet i heq këta njerëz dhe vendos njerëzit e vet. Ndaj dhe komedia “Kunati i shokut Xhemal”, ku unë luaja rolin e Lonit është aktuale edhe sot. Komedia u mirëprit shumë nga publiku ato vite, në mënyrë të jashtëzakonshme, sepse kishte një temë që kritikonte lart. Vetë partia e asaj kohe ka qenë dakord, që të kritikohej ky problem. Komitetet, dikasteret përkatëse, ministritë e drejtoritë mbushur me familjarë. Pra ishte një servilizëm i jashtëzakonshëm, që të merrte diku një post.

-Sipas jush me çfarë përballet sot artisti, sa e vështirë është aktiviteti artistik?

Situata është tepër e vështirë prej vitesh për artistin dhe artin në vend. Tek ne nuk prodhohet as gozhda, vetëm bëhet propaganda dhe nuk bëhet asgjë nga shteti. Artisti ka një rrogë të vogël, sa nuk mund të kryejë as punët e familjes së vet. Për artin dhe kulturën nuk ka asgjë, është dobët shumë. Edhe aty kur artisti aktivizohet në ndonjë pjesë, janë mjaft fonde të vogla. Pra fondet janë të pakta, bileta shitet e vogël. Në tërë Shqipërinë ka nga një sallë teatrore edhe pse me probleme, por ne kemi Tiranën që nuk ka salla. Teatrin Kombëtar, që është teatër tamam duan ta shembin, por ai nuk guxon me u prishë. Ashtu si “La Scala” e Milanos, ashtu si teatri i Shekspirit, etj, Teatri Kombëtar duhet të ruhet, sepse njerëzit janë të etur të shohin shfaqje qoftë dramatike, qoftë tragjike, premiera, shfaqje komike, e sidomos estrada. Po në Tiranë edhe ai teatër që është po luftohet ta shkatërrojnë, por kjo është turp. Në vend që ta bëjnë teatrin më të madh në Europë, por e luftojnë. Të bëhet teatri më i madh në Europë, sepse i takon me qenë i tillë. Të tillë kane qenë ata artistë të mëdhenj, që i ka pasur ky vend. E dyta, kush i aktivizon me artistët për aktivitetet artistike në vend? Artistët nuk po aktivizon kush. Arti po shpartallohet. Më thoni Tirana, ku e ka shtëpinë e kulturës si dikur? Nuk ka. Ku e ka Estradën e Shtetit si dikur? Nuk e ka. Variete ka tërë bota, por ne nuk e kemi më. Ku e ka teatrin Tirana? Po e lufton me polici. Më falni, por tek ne lëvizja artistike është e shkatërruar. Në çdo qytet dhe kryeqytet të botës ka shtëpi kulture ashtu si duhet të jetë, sepse i kam parë vetë, por tek ne kjo nuk është. Artit i kanë rënë me shkelma, e ka lënë në këtë gjendje ky sistem.

-Ju po flisni për problemet e artit në vend, por jeni shprehur më parë me kritika dhe për Ministrinë e Kulturës. Si e shikoni rolin e Ministrisë së Kulturës, në jetën artistike?

Ministria e Kulturës është fikur, nuk ka rezistencë, për të ngrohur shpirtin e artistëve në vend. Është një Ministri Kulture e dobët. Me atë Ministri Kulture nuk bëhet dot as kultura e një vendi siç është Tirana. Ne në Shkodër e bëjmë vetë jetën artistike. Unë jam pensionist dhe jap kontribut sa të mundem në jetën artistike në Shkodër. Me para e pa para të dalin njerëzit, të fusim elementin e ri, sepse është i mërzitur. Nuk ka krim më të madh, kur nuk furnizon popullin me art dhe kulturë, por edhe sport, shkollë, mjekësi, etj. Diktatura e atëhershme ka paguar para, ka paguar rrogat e artistëve për artin. Ne vetëm të hënën kemi pasur pushim dhe tërë ditët e javës kemi pasur shfaqje në qytet, por edhe në fshatra. Teatrot profesionistë ato vite kanë dhënë shfaqje ditë e natë për të realizuar planin. Sot pronari në teatro në qytete është bashkia, e drejtuar nga kryeministria, ministria e Kulturës dhe e Financave, që e bën këtë. Jep shfaqje, dhe në tërë botën nxirret dhe shpërblimi, kështu e ka kapitalizmi.

-Ju përmendët estradat dikur në jetën artistike dhe shprehët keqardhjen, që nuk janë më si në ato vite. Jeni shprehur se këto trupa artistike nuk i mbajtën, dhe humbën. Si ndikoi kjo në jetën artistike?

Ne kemi pasur dikur në vend 15 trupa estradash, në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Kanë dhënë premiera të shumta, publiku i donte estradat dhe nga shfaqjet mblidheshin dhe të ardhura ato vite. Por estradat humbën, sepse nuk kishin me se të bënin shfaqjet. Ju sjell një shembull. Do të bëhet koncerti i pranverës, që marrin pjesë shumë artistë, është edhe shfaqja e estradës që dua ta vë unë në skenë nëse më aprovohet nga bashkia. Por sa para janë, për të vënë në skenë atë premierë të estradës? Unë e kam bërë një preventiv. Jepen shfaqjet, por fiton dhe shteti, bashkia, ministria, por dhe njerëzit shpërblehen. Por është trup që sot ne kemi plot artistë, që nuk kanë bukë të hanë, sepse nuk mendon kurrkush. Estradat u shkrinë me dashje, sepse nuk i mbajtën. Bashkia e madhe është kryeministria me Ministrinë e Kulturës, që urdhërojnë bashkitë poshtë. Nëse ti i çon projektet, që duan 100 milionë lekë të vjetra dhe i jep 30 milionë të vjetra, nuk realizohet gjë bukur te projektet. Qeveria lart vjen momenti dhe kritikon bashkinë, që nuk e ka realizuar. Por bashkia nuk ka faj, duhet të jetë shteti që të bëjë më shumë. Shfaqjet nuk bëhen pa para. Është shteti, që duhet të financojë. Jepen buxhete për shfaqjet, por është po shteti që ka përfitime më pas. Populli duhet të dijë kush është dera e teatrit, e estradës, etj. Shteti ka gjashtë vjet që ka vdekur, ka mbaruar dhe nuk po merret me artin dhe kulturën, shëndetësinë, shkollat, etj. Jam 70 vjeç dhe nuk kam si them, sepse do të ishte turp, por jam i detyruar ta them që ajo kohë dikur ishte më mirë për artin. Pak kishim të hanim, por punonim. Kishim censurë ato vite, por ka pasur shumë aktivitete artistike. Kanë dalë artistë me shumicë, edhe pse situata ishte e rëndë ato vite ama e organizonte artin në vend. Por tani është në asfiksi arti dhe kultura.

-Si vlerësohet krijimtaria dhe autorët e saj?

 Ai që shkruan duhet të paguhet. Një autor shkruan një dramë që ka sukses, por e paguan me një pagesë të ulët, që është me të marrë vaji.

Leave a Reply