Përplasje të forta mes prokurorëve për dosjen e Bashës, Ervin Karanxha përjashtohet nga procesi, PS thirrje KLGJ e KLP të ndërhyjnë

0
243

Dosja e lobimeve të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka treguar edhe një herë se sa i dobët është sistemi i drejtësisë në Shqipëri. Dje gjykata pushoi hetimet për Lulzim Bashën dhe përfaqësuesit e tjerë të PD, duke i nxjerrë të pastër nga skandali i lobimeve në Uashington. Që kur u mor vendimi për të çuar dosjen në gjykatë, u konstatua se jo të gjithë prokurorët ishin në të njëjtën linjë. Gjergji Tako dhe Ervin Karanxha hoqën akuzën e pastrimit të parave dhe dorëzuan dosjen në gjykatë vetëm për falsifikim të formularit. Por përplasjet kanë vijuar edhe ditën e djeshme. Kryetarja e Prokurorisë së Tiranës përmes një shkrese ka kërkuar dje që prokurori Ervin Karanxha të përjashtohet nga kjo çështje, gjë që është pranuar nga gjykata. Ndërkohë në sallë kanë mbetur vetëm prokurori Kolë Hysenaj dhe Gjergji Tako. Hysenaj kërkoi që dosja të kthehet për rishqyrtim, në mënyrë që të pyetet lobisti Nik Muzin. Por për gjyqtarin Lazer Sallaku dosja doli e pavlerë dhe hetimet u pushuan.

Reagon Taulant Balla

Reagimi i parë nga Partia Socialiste për pushimin e çështjes për tre zyrtarët e PD-së, mes tyre edhe kryedemokrati Lulzim Basha, vjen nga kreu i grupit, Taulant Balla. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Balla u shpreh se gjyqtari i çështjes, Lazer Sallaku ka zbatuar parimin “Kap ça të kapësh” (KÇK), duke shtuar se KLGJ dhe KLP të nisin hetimin. Balla shtoi se ky vendim duhet ankimuar dhe se Nik Muzin, përfituesi i parave nga PD duhet të merret patjetër në pyetje për të zbardhur të vërtetën.

“Kush mendon se kjo dosje e rëndë me të pandehur kryesor Lulzim Bashën, mund të mbyllet kështu pa u hetuar aspak në themel, pa u marrë në pyetje të gjithë personat e përfshirë, e ka shumë gabim. Kjo nuk është një çështje vetëm e drejtësisë shqiptare. Nxitimi i stimuluar i ndonjë prokurori dhe gjyqtari që nuk e ka kaluar procesin e vetingut dhe që zbaton parimin “kap çfarë të kapësh”, shfaqën sot këtë teatër të turpshëm për sytë e shqiptarëve dhe jo vetëm. Këshilli i Lartë i Gjyqësorit dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë duhet të hetojnë gabimet procedurale me dashje, që çuan në këtë teatër të turpshëm, ku prokuroria hetoi 2 vite dhe gjykata e mbylli për 2 orë. Apelimi i këtij vendimi absurd dhe rikthimi i çështjes për hetim të plotë duke dhënë edhe garancitë nga Gjykata për marrjen në pyetje të përfituesit të parave Nik Muzin, janë hapat e vetëm për të hedhur dritë e për të bërë drejtësi në këtë dosje të rëndë”, tha Balla.

Reagon Eduard Halimi

Pasi Gjykata e Tiranës vendosi të pushojë çështjen për falsifikim ndaj tre zyrtarëve të Partisë Demokratike, mes tyre Lulzim Basha, një nga avokatët e selisë blu, Eduard Halimi komentoi vendimin. Në një prononcim për mediat ditën e djeshme, Halimi tha se vendimi i gjykatës ishte vendim drejtësie, ndërsa shtoi se të gjitha akuzat e mbështetura mbi spekulimet u rrëzuan. Mes të tjerash Halimi tha se tashmë “gjuetia e shtrigave” u rrëzua.

“Vendimi i sotëm i gjykatës ishte vendim drejtësie. U provua pas 2 vitesh hetime se gjithçka ishte një akuzë e sajuar, bazuar mbi spekulime dhe u vërtetua se nga hetimet nuk kishte asnjë lidhje PD dhe nuk kishte asnjë vepër penale për të dhe nuk ishte shkelur ligji nga ajo. As për Shqipërinë, as në një vend tjetër. U vërtetua katërçipërisht se vepra penale nuk ekzistonte. Ishte vendim drejtësie. Ne jemi avokatë të çështjes. Ky ishte një vendim që rrëzoi të gjithë akuzën, të gjithë ‘gjuetinë e shtrigave” që për 2 vjet u mbajt në territorin e Prokurorisë. Dhe u rrëzuan të gjitha akuzat ndaj PD. U pushua akuza, ajo nuk ekziston më”, tha Halimi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here